Tre vjet nga fillimi i luftës në Ukrainë, hapet ekspozita “Fëmijëri e humbur”

Në Shtëpinë e Evropës u hap sot ekspozita “Fëmijëri e humbur”. Kjo ekspozitë, e krijuar nga Platforma Përkujtimore e Ukrainës në bashkëpunim me familjet e viktimave, ndan historitë therëse të mbi 20 fëmijëve të vegjël që kanë humbur jetën tragjikisht për shkak të konfliktit të vazhdueshëm.

Ngjarja shënon tre vjet që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe është një mundësi për solidarizimin me Ukrainën.

Në hapje morën pjesë, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato dhe ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, të cilët mbajtën edhe nga një fjalë, ku reflektuan mbi ndikimin e thellë të luftës mbi më të pafajshmit e kësaj lufte, të vegjlit në Ukrainë.

Në hapjen e ekspozitës morën pjesë edhe ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, si edhe personalitete të jetës kulturore të vendit. Sot shënohen 3 vjet nga nisja e agresionit rus në Ukrainë.