KOSOVA FESTON SOT/ Prej 17 vitesh e pavarur, por me halle shumë

17 shkurtin e këtij viti shënohen 17 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Një sërë aktivitetesh janë planifikuar, ndërkohë flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë valojnë në sheshet kryesore të Prishtinës.

Siç është bërë traditë gjithçka nis me mbledhjen festive të Qeverisë së Kosovës, ngritjen e Flamurit të Kosovës, nderime te Monumenti i të Pagjeturve dhe Memoriali i Fëmijëve të vrarë dhe Monumenti Heroinat, homazhe te varret e ish-presidentit Ibrahim Rugova, veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi, Kompleksin Memorial “Adem Jashari” Prekaz.

KOSOVA FESTON SOT/ Prej 17 vitesh e pavarur, por me halle shumë

Në sheshin “George Bush” do të parakalojnë trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Koncerti i Pavarësisë do të mbahet në Sheshin “Skënderbeu”.

Sot do të mbahet edhe konferenca e parë shkencore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Pritja shtetërore nga presidentja, kryeparlamentari e kryeministri i Kosovës, dhe koncerti solemn i Filarmonisë së Kosovës.

Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt 2008 dhe deri tani është njohur nga më shumë se 110 shtete të botës.

Kosova është e sapodalë nga një proces zgjedhor dhe është në pritje të formimit të institucioneve të reja.

Fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit doli Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit aktual, Albin Kurti, por pa siguruar shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për ta formuar qeverinë e vetme.

Një ditë më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka pranuar një mesazh urimi për përvjetorin e pavarësisë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

KOSOVA FESTON SOT/ Prej 17 vitesh e pavarur, por me halle shumë

Aty thuhet se Trump e “përgëzon popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë” dhe vë në pah “qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces”.

“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe me padurim presim që t’i zgjerojmë ato - veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime - me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona”, thuhet mes tjerash në letër.

Qeveria e Kurtit, viteve të fundit, është kritikuar nga zyrtarët amerikanë, për shkak të disa hapave të cilësuar si të pakoordinuar kundrejt komunitetit serb.

Autoritetet e Kosovës, përveç tjerash, kanë hequr nga përdorimi dinarin serb dhe kanë mbyllur shumicën e institucioneve të Serbisë, prej të cilave serbët kanë marrë shërbime të ndryshme.

Qeveria i ka justifikuar këto veprime si shtrirje të autoritetit të saj dhe në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Por, për shkak të tyre, edhe Bashkimi Evropian ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese kundër Kosovës, duke i pezulluar disa fonde dhe takime të nivelit të lartë.

Shtatëmbëdhjetëvjetori i pavarësisë e gjen Kosovën si shtet të njohur nga rreth 117 vende të botës.

Vendi është pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Por, nuk është ende në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës etj./REL