Humb jetën familja prej 5 anëtarësh në Qipro, shkak zjarri në banesë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Qipro, ku një zjarr ka shpërthyer në një banesë brenda së cilës ishin 5 anëtarë të një familje. Zjarri ka rënë në zonën e kuzhinës, në katin e dytë të shtëpisë së tyre dhe si pasojë e zjarrit çifti bashkë me tre fëmijë të mitur humbën jetën.
Hetimet pritet të zbardhin shkaqet dhe kushtet e sakta nën të cilat shpërtheu zjarri, ndërsa autoritetet e kanë quajtur një fatkeqësi të plotë. Paraprakisht dyshohet se shkak për zjarrin është bërë një defekt në qarkun elektrik të banesës.
Në deklaratat e tij në vendin e tragjedisë, Zëdhënësi i Shtypit i ADE Limassol dhe kreu i TAE Lefteris Kyriakou, tha: “Menjëherë pas orës 4:00, Departamenti i Policisë Limasol u informua për një zjarr në një shtëpi në zonën e Agios Nikolaos. Menjëherë ka mbërritur një patrullë policie e cila ka tentuar të hyjë në shtëpi. Megjithatë, për shkak të shtrirjes së zjarrit, ata nuk kanë mundur të afrohen. Njësia zjarrfikëse ka mbërritur në vendngjarje dhe ka shuar zjarrin. Më pas, efektivë të Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë gjetur trupat e pesë personave në katin e dytë të shtëpisë: një çift dhe tre fëmijë”.
Për rastin në fjalë është përdorur një platformë e posaçme e Zjarrfikësve dhe më pas trupat e pajetë janë transferuar në morgun e Spitalit të Përgjithshëm të Nikosias, ku do të kryhen autopsitë zyrtare.