Zelensky: Moska po përgatitet të dërgojë trupa në Bjellorusi

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Rusia mund të përgatitet për një përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak – pasi inteligjenca ukrainase ka sugjeruar se Moska po kërkon të zhvendosë trupat në Bjellorusinë aleate, këtë verë.

Duke iu drejtuar sot Konferencës së Sigurisë në Mynih, Zelensky vuri në dukje gjithashtu se Rusia ishte e angazhuar në një ngritje të mëtejshme të forcave të saj të armatosura dhe po rekrutonte ushtarë shtesë.

“Dislokimi i forcave ruse në Bjellorusi do të quhet një stërvitje ushtarake”, tha presidenti ukrainas, duke kujtuar se kështu kishte filluar pushtimi rus i Ukrainës pothuajse tre vjet më parë.

“Është e paqartë se kë do të synojë Rusia”, tha Zelensky, duke shtuar se ai nuk shihte shenja se Moska mund të ishte e gatshme të pajtohej me një marrëveshje paqeje.

Ai gjithashtu vuri në dukje se Bjellorusia kufizohej me tre vende të NATO-s dhe se ishte bërë një shtyllë e rëndësishme për operacionet ushtarake ruse, duke përmendur vendosjen e sistemeve raketore me rreze të gjatë dhe armëve bërthamore në vend.

Zelensky u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të Ukrainës të hartonin plane se si të trajtonin një tjetër sulm të mundshëm rus.