Ndarja nga jeta e diplomatit Shaban Murati, Begaj: Burri fisnik që atdheun e kishte të shenjtë

Presidenti Bajram Begaj shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të diplomatit Shaban Murati, një figurë me kontribut të ndjeshëm në zhvillimin e politikës së jashtme të Shqipërisë dhe në fushën e studimeve diplomatike, historike e politike.

“Me dhembje mësova lajmin për ndarjen nga jeta të intelektualit, diplomatit, historianit politik, njohësit të shkëlqyer të gjeopolitikës rajonale, mikut tim, Shaban Murati.

Çdo bisedë që zhvillova me të, çdo këshillë që më jepte, ishte e hapur, e drejtpërdrejtë dhe e vyer”, u shpreh Begaj.

Presidenti vlerësoi se “Shaban Murati, burri fisnik që atdheun e kishte të shenjtë dhe gjithmonë me vete, do të mbetet mes nesh si veprimtari i përhershëm që foli, shkroi dhe ndau dijen për të na orientuar në anën e të mirës dhe të drejtës në histori”.

“Shaban Murati iku i bekuar duke lënë pas, veç tre bijve, pasardhës të denjë të tij, edhe vepra të rralla për ne! Shpirti t’u prehtë në paqe, i miri Shaban Murati”, u shpreh Begaj.

Diplomati shqiptar Shaban Murati është ndarë mëngjesin e sotëm nga jeta në moshën 79-vjeçare.

I lindur më 2 shtator 1945, Murati ishte një figurë e spikatur në diplomacinë dhe publicistikën shqiptare, duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e politikës së jashtme të vendit.

Gjatë karrierës së tij të gjatë diplomatike, Shaban Murati shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë.

Ai ishte gjithashtu drejtues i Akademisë Diplomatike të Republikës së Shqipërisë, duke luajtur një rol kyç në formimin e brezave të rinj të diplomatëve shqiptarë.