VIDEO/ Pengoi hetimin ndaj Veliajt, kryetarja e “Ligjeve” përballet me opozitën: Kam dinjitet! Sula: Mbylle gojën, mbledhjen ta drejtojë dikush tjetër

Anëtari i Komisionit të Ligjeve nga radhët e opozitës Dashnor Sula ka shpërthyer në akuza në Komisionin e Ligjeve ndaj kryetares Klotilda Bushka, pasi kjo e fundit është në hetim nga SPAK për pengim të drejtësisë, në lidhje me hetimet ndaj Erion Veliajt.

Sula i tha Bushkës se duhet të lejojë dikë tjetër që ta drejtojë mbledhjen, ndoshta një nga anëtarët e Komisionit. Sula më tej debatoi edhe me anëtarët e PS të Komisionit, duke iu thënë se nuk duhet të flasin sot, pasi është një turp ajo që ka ndodhur.

Dashnor Sula: "Ne si gjithë Komisioni i Ligjeve duhet të kishim reagim unifikues me situatën që ka ndodhur. Prandaj, zonja kryetare, mund t’ja lini radhën zonjës Çupi të drejtojë mbledhjen apo kujtdo anëtare e Komisionit mund ta kishte këtë aftësi.

Zonja kryetare ke penguar drejtësinë. Mbyllni gojën anëtarë socialistë të Komisionit, se nuk keni moral të flisni. Është turp. Vjen era korrupsion".

Deputetja e PS-së, Klotilda Bushka ka reaguar pasi SPAK e mori nën hetim për çështjen Veliaj. 

“Ju sqaroj që ky është një komision ligjesh dhe jo komision hetimor, unë jam drejtuese e komisionit të ligjeve dhe jam duke ushtrua detyrën time.

Nëse kam diçka për të sqaruar do ta sqaroj atje ku sqarohen. Sa i takon cështjes së dinjitetit unë kam qenë e dinjitetshme, jam dhe do jem”, tha Bushka