S’ka heshtje zgjedhore në Kosovë, votimet nisin me Diasporën, Gazetari: Gjuha në fushatë ishte e ashpër

Qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë kanë nisur votimin në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Votimi nisi në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në shtetet e Evropës, ndërkaq në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada do të nisë në orën 13:00, sipas orës lokale në Kosovë.

Votimi më 8 shkurt zhvillohet në 43 vendvotime, në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, që gjenden në 19 shtete të ndryshme të botës.

Kjo është hera e parë që pjesëtarët e diasporës mund të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Në një lidhje me skype nga Prishtina, gazetari Isa Myzyraj foli për një situatë të qetë, ndërsa tha se gjuha e përdorur nga liderët politikë në Kosovë gjatë fushatës elektorale ka qenë e ashpër, sidomos nga ana e përfaqësuesve të partive opozitare, të cilët nuk i kanë kursyer akuzat ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Ndërkaq Myzyraj foli edhe për shkelje të Kodit të Etikës në fushatë, ndërsa sqaroi se ndryshe nga Shqipëria, në Kosovë nuk ka heshtje zgjedhore dhe se ajo vijon edhe gjatë ditës së sotme

Nesër votohet në Kosovë

Për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, të drejtë vote brenda dhe jashtë Kosovës kanë mbi 2 milionë votues.

Në garën për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike dhe një kandidatë i pavarur. Qytetarët mund të zgjedhin një parti dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë.

Nga këto votime do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin qeverinë e re. Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.

Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.