Ferdinand Deda, kompozitori, dirigjenti dhe instrumentisti i shquar shqiptar
Rrugëtimi i kompozitorit Ferdinand Deda, që nisi më 5 shkurt të vitit 1941, iu dedikua veçanërisht pentagramit. Me të mbaruar Liceun Artistik të Tiranës më 1960, iu drejtua Konservatorit të Muzikës në Pragë, për të ndjekur studimet në disiplinën e dirigjimit.
Në klimën e pezmatimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-bllokut komunist, Ferdinand Deda, ashtu si edhe shumë studentë të tjerë jashtë vendit, u detyrua të braktiste studimet për t’i vijuar në Konservatorin e Tiranës.
Prej auditorit, instrumentistit Deda iu besua të udhëhiqte Orkestrën e Radiotelevizionit Shqiptar. Duke nisur nga viti 1964, realizoi 300 koncerte brenda dhe jashtë vendit. Kolonat zanore të shumë filmave shqiptarë mbajnë autorësinë e tij. Në tagrin e kompozitorit Ferdinand Deda ka lënë pas një trashëgimi tejet të pasur muzikore, mes të cilave veçojmë: “Tre valle simfonike”, “Katër skica për piano”, “Trio për violin” dhe “Prelud i kënduar”.
Në vlerësim të veprës së tij, në vitin 1997 u shpall fitues i “Diskut të artë”. Ai është nderuar me titullin “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”.
U nda nga jeta më 24 gusht 2003.

