Trump pezullon tarifat ndaj Meksikës për një muaj pas marrëveshjes për trupat kufitare

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka pezulluar për një muaj tarifat e vendosura ndaj Meksikës, pasi Meksika ra dakord të përforcojë kufirin e saj verior me 10,000 anëtarë të Gardës Kombëtare për të frenuar trafikimin e drogave të paligjshme, veçanërisht fentanilit. Lajmi u bë i ditur nga presidentja e vendit të Amerikës Qendrore, Claudia Sheinbaum.

“Ne patëm një bisedë të mirë me Presidentin Trump, me respekt të madh për marrëdhëniet dhe sovranitetin tonë dhe arritëm një sërë marrëveshjesh”, shkroi presidentja meksikane në një postim në platformën X.

Sheinbaum tha gjithashtu se pas bisedës me presidentin amerikan, Meksika “do të përforcojë menjëherë” kufirin e saj verior me 10,000 ushtarë të Gardës Kombëtare “për të parandaluar trafikimin e drogës nga Meksika në SHBA, veçanërisht fentanil”.

Njoftimi erdhi dy ditë pasi Trump vendosi tarifa 25% për mallrat nga Meksika dhe Kanadaja, si dhe një tarifë 10% për mallrat e importuara nga Kina. Trump gjithashtu konfirmoi pezullimin e tarifave përmes rrjeteve sociale.

“Ne ramë dakord që të ndalojmë menjëherë tarifat e parashikuara për një periudhë njëmujore gjatë së cilës do të kemi negociata të kryesuara nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick dhe përfaqësues të nivelit të lartë të Meksikës”, shkruan Trump në postim.