Fati tragjik i nxënësit 15-vjeçar në Angli, dyshohet se u sulmua nga një bashkëmoshatar
Një 15-vjeçar është vrarë me thikë në një shkollë në Sheffield. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:17, raporton Sky News. Policia tha se djali kishte marrë lëndime të rënda dhe pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të urgjencës për t’i dhënë ndihmën e parë, ai humbi jetën.
Dyshohet se i mituri është goditur me thikë nga një bashkëmoshatar, i cili është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim. Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes së rëndë, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkakut që çoi në këtë tragjedi.
“Me pikëllim të madh ndaj me ju sot lajmin se një adoleshent ka vdekur pas goditjes me thikë në një shkollë të Sheffield më herët. Mendimet tona janë me familjen e djalit, miqtë e tij dhe të gjithë komunitetin e shkollës. Në orën 12:17, shërbimet e urgjencës u thirrën në shkollën e mesme Katolike All Saints në rrugën Granville.
Viktima, një djalë 15-vjeçar, ka pësuar lëndime të rënda dhe me gjithë përpjekjet më të mira të shërbimit të ambulancës, fatkeqësisht ka ndërruar jetë pak kohë më vonë. Një djalë 15-vjeçar është arrestuar si i dyshuar për vrasje dhe aktualisht ndodhet në paraburgim”, njoftoi përmes një konference për shtyp shefja e policisë Lindsey Butterfield.
