Protesta te Bashkia, Tolka: Erion Veliaj vazhdon të shijojë privilegjet, ndërsa duhej të ishte në burg! Në 8 shkurt sërish në mosbindje civile
Sot, përpara Bashkisë së Tiranës, po zhvillohet protesta e 44-të e opozitës, së bashku me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, ku kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj. Protesta organizohet pasi Veliaj është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për katër vepra penale. Opozita ka zhvilluar një sërë protestash para Bashkisë së Tiranës me qëllimin që Veliaj të dorëzohet drejtësisë dhe të japë dorëheqjen. Ai akuzohet për mosdeklarim e fshehje pasurie, pastrim të produkteve kriminale dhe korrupsion aktiv e pasiv.
Gjatë protestës, aktorja Adriana Tolka ka mbajtur një fjalim ku ka theksuar rëndësinë e këtij momenti për të ardhmen e vendit. Sipas Tolkës, Kryebashkiaku Erion Veliaj vazhdon të shijojë privilegje ndërsa qytetarët përballen me varfëri dhe dhunë. Ajo gjithashtu bëri thirrje për unitet mes qytetarëve, duke u adresuar atyre që ende nuk janë bashkuar me protestën.
Ajo i kërkoi të kuptojnë se kjo luftë është për rikthimin e demokracisë që është përdhosur dhe vrarë nga pushteti aktual. Tolka theksoi se protesta është një mundësi për të kthyer dinjitetin për çdo individ dhe për gjithë popullin shqiptar.
Ajo u bëri thirrje të gjithëve që, nëse nuk e bëjnë për veten, të dalin për familjarët e tyre dhe të mbështesin protestën masive në datën 8 shkurt, duke treguar se, pavarësisht se pushteti tenton të heshtin opozitën, ata janë ende gjallë dhe do të vazhdojnë të luftojnë për drejtësi.

Tolka: "Ndërsa pushteti mafioz refuzon të shkuli nga gjiri i vet kryemajmunin e bashkisë, i cili ndërkohë lirisht vazhdon të kërcejë nga degë në degë në çdo pyll orbital në mbarë botën që gjen, këtu nga ana tjetër pushteti kërkon të konfrontojë qytetarët me njëri-tjetrin, por qytetarët duhet ta kuptojnë, dhe kjo është për qytetarët që nuk bashkohen me ne për një arsye apo për një tjetër, që nuk kanë mundësi le të themi të bashkohen me ne. Duhet të kuptojnë që ne jemi këtu për të ringritur demokracinë që këta na e kanë përdhosur, na e kanë vrarë, si rrallë kush, as armikët tanë, asnjë qeveri nuk ia ka bërë këtë popullit të vet, këta e bëjnë për 12 vjet.
Jemi këtu për t’i rikthyer dinjitetin vetes sonë, çdo individi, familjeve tona, çdo qyteti, gjith kombit shqiptar.
Ne të gjithë këtu kemi vendosur të zgjedhim gjënë më të vështirë në këtë kohë të besojmë sot, sepse ata e kanë vrarë besimin tek shumë nga ju, por jemi ne këtu që të mbajmë të ngjallur këtë besim.

Nëse nuk e bëni për veten tuaj, bëjeni për familjarët tuaj, prandaj në datën 8 shkurt sërish në mosbindje civile për t’i treguar pushtetit që edhe pse tenton të na vrasi, ne jemi gjallë"

