Studimi: Ndryshimet klimatike do të rrisin ndjeshëm vde*jet nga nxehtësia ekstreme në Evropë
Një studim i fundit ka paralajmëruar se ndryshimet klimatike pritet të shkaktojnë një rritje të madhe të vdekjeve nga nxehtësia ekstreme në Evropë, duke tejkaluar çdo ulje të mundshme të vdekjeve të lidhura me të ftohtin.
Sipas hulumtimit të kryer nga Laboratori i Modelimit të Mjedisit dhe Shëndetit (EHM) në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër (LSHTM), ndryshimi i klimës mund të rezultojë në mbi 2.3 milionë vdekje shtesë deri në fund të shekullit, nëse nuk merren masa për reduktimin e emetimeve të karbonit.
Profesori Antonio Gasparrini, një nga autorët kryesorë të studimit të botuar në Nature Medicine, theksoi:
“Ky studim tregon se rritja e vdekjeve nga nxehtësia do të tejkalojë ndjeshëm çdo ulje të vdekjeve të lidhura me të ftohtin, duke çuar në një rritje neto të vdekshmërisë në Evropë.”
Qytetet më të rrezikuara
Qytetet mesdhetare do të jenë më të prekura, me Barcelonën që kryeson listën e vdekjeve të parashikuara (246,082 deri në vitin 2099), ndjekur nga Roma (147,738), Napoli (147,248) dhe Madrid (129,716).
Kryeqytetet më në veri, si Londra, mund të shohin një rënie të vdekjeve të lidhura me temperaturën, por kjo është shumë e vogël për të balancuar ndikimet në pjesën tjetër të kontinentit.
Problemet shëndetësore dhe domosdoshmëria e veprimit
Studiuesit theksuan se nxehtësia ekstreme nuk shkakton vetëm vdekje, por edhe probleme të tjera shëndetësore, përfshirë rritjen e sëmundjeve kardiovaskulare dhe aborteve.
Shtimi i hapësirave të gjelbra dhe zbatimi i politikave për të ulur temperaturat urbane janë disa nga masat që rekomandohen.
Megjithatë, Dr. Pierre Masselot, autor kryesor i studimit, theksoi se vetëm përshtatja e qyteteve nuk është e mjaftueshme:
“Rezultatet tona tregojnë se zbutja e ndryshimeve klimatike përmes uljes së emetimeve të karbonit është e vetmja mënyrë për të shmangur një rritje dramatike të vdekjeve nga nxehtësia ekstreme, veçanërisht në rajonin e Mesdheut.”
Një thirrje për veprim
Studiuesit paralajmërojnë se nëse nuk merren masa të menjëhershme për të reduktuar emetimet dhe për të përshtatur qytetet, pasojat për shëndetin publik në Evropë do të jenë katastrofike.
