Kontrabanda e naftës nga Tunizia në Durrës/ Arrestohet një nga organizatorët, bashkëpunëtori i tij ende në kërkim
Një prej personave të dyshuar si organizatorë të naftës kontrabandë nga Tunizia në Shqipëri është arrestuar në pikën kufitare të Morinës. Personi i arrestuar mësohet se është Eduard Skora.
59-vjeçari dyshohet se në bashkëpunim me Florian Biba, i cili është ende në kërkim ka organizuar kontrabandimin me anije, të 670 000 litrave naftë.
Karburanti kontrabandë ishte e fshehur në balastrat e anijes. Kjo pjesë e poshtme cila duhet të mbushet me ujë që anija të ruajë ekuilibrin në det, këtë herë ishe mbushur me naftë.
Në operacionin e 12 janarit të koduar “ari i zi” në pranga u vunë 3 persona dhe për 5 të tjerë hetimet nisën në gjendje të lirë. Mes tyre kishte edhe shtetas të huaj.
Në pranga u vunë shtetasi sirian M. Kahilah., 45 vjeç, me detyrë kapiten i anijes, shtetasi shqiptar E. Cano., 43 vjeç, me detyrë marinar i anijes, si dhe shtetasi indian S. Vema, 42 vjeç, me detyrë oficer i parë i anijes.
14 dokumente identifikimi dhe dokumente për lundrim, 10 celularë dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit për rastin janë sekuestruar.
Në raportimet e mëparshme është bërë e ditur se hetimet do të vijojnë edhe më tej për të zbuluar skemën e kontrabandimit të arit të zi.
Hetimet pritet të çojnë edhe në zbulimin e pritësve të karburantit dhe formës se si ajo do të hidhej për të shmangur më pas detyrimet fiskale.
