Berisha, thirrje shqiptarëve të Diasporës: PD ka një program transformues për Shqipërinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me Departamentin e “Brain Gain dhe Ekselencës” në selinë e PD. Në këtë takim, lideri demokrat prezantoi nismën me titull “Ne mundim, ata thyhen! Ballë për ballë me propagandën”.

Berisha e nisi fjalën e tij duke u kthyer pas në kohë, në vitet e para të themelimit të Partisë Demokratike.

“Kur kjo parti u themelua, 99.9% e njerëzve nuk kishin asnjë lidhje me shtetndërtimin apo me institucionet. Në tërësi ishin intelektualë të fushave teknike ose humanitare, por që vendosën idealet e tyre të lirisë. Njerëzit duhet të jenë të lirë, të flasin lirisht, të votojnë të lirë”, u shpreh Berisha.

“Këta njerëz arritën të ndërtojnë, të shndërrojnë në realitet idealet e tyre me vështirësi, por një gjë kurrë nuk duhet harruar, se Shqipëria nga viti 1992-2013 është, në dijeninë time, është vendi i vetëm që është rritur 21 herë. Në vitin 1992 rrogat ishin 5-6 dollarë, rroga ime si president ishte 16 dollarë. Dhe kur e thashë një ditë më kishte shkruar dikush në Facebook se po tregon ëndrra. Ai kishte të drejtë se nuk mund ta besonte, por e vërteta ishte se kjo ishte Shqipëria”, theksoi ai.

Kryetari i PD-së tha se sot është një formë narkodiktature, ndër format më të këqija të diktaturave.

“Kam menduar shumë herë dhe kam një ambiguitet në veten time se, si ka mundësi që një komb që përjetoi një mynxyrë kaq të madhe, siç ishte diktatura staliniste e pranoi këtë të dytën pa ndonjë rezistencë të madhe”, vuri në dukje ai në bashkëbisedim.

Berisha u shpreh se Shqipëria nuk ka parë në histori një qeverisje si kjo. Berisha u ndal edhe tek votimi nga jashtë në zgjedhjet e 11 majit.

“Është e një rëndësie të jashtëzakonshme që nga 1 milion e 500 mijë shqiptarë jashtë vendit me të drejtë vote, shumica e tyre të mund të votojnë. Të firmosin me votën e tyre ndryshimin, rotacionin se e vërteta është që ‘ata thyhen dhe ne i mundim’ dhe ne kemi një program të shkëlqyer, kemi një program transformues, kemi një program shpëtimtar për Shqipërinë”, u shpreh Berisha.