Netanyahu mbron Musk mes polemikave për përshëndetjen e tij të ngjashme me nazistët

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha sot se Elon Musk po “njolloset në mënyrë të rreme”, pasi miliarderi i teknologjisë bëri gjeste – që të kujtojnë përshëndetjen naziste.

Netanyahu doli në mbrojtje të Musk – në një postim në X, duke e quajtur atë “një mik të madh të Izraelit”.

“Ai vizitoi Izraelin pas masakrës së 7 tetorit, në të cilën terroristët e Hamasit kryen mizorinë më të keqe kundër popullit hebre që nga Holokausti”, shkroi Netanyahu.

“Ai që atëherë ka mbështetur vazhdimisht të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten kundër terroristëve gjenocidalë dhe regjimeve që kërkojnë të asgjësojnë shtetin e vetëm hebre”, shtoi ai.

Gjestet e Musk, u panë të hënën gjatë ceremonisë së betimit të presidentit amerikan, Donald Trump. Gjestet e tij bënë bujë në internet dhe në media, ku shumë njerëz e krahasuan atë me përshëndetjet e përdorura nga nazistët dhe fashistët.

Postimi i Netanyahut erdhi si një përgjigje ndaj komentit të Musk sot në platformën e tij X.

“Të majtët radikalë janë vërtet të mërzitur që iu desh të merrnin kohë nga dita e tyre -duke lavdëruar Hamasin për të më quajtur nazist”, shkroi Musk në X.

Në një koment të mëparshëm në X, Musk e hodhi poshtë krahasimin me Adolf Hitlerin duke e quajtur atë si “shumë të lodhur”.