Shtyrje e afatit të përfitimit të statusit special për hotelet me katër dhe pesë yje
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave shqyrtoi sot nismën e deputetit të Partisë Socialiste, Blendi Klosi për ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, që kanë për qëllim të zgjasin me 2 vite afatin e përfitimit të statusit special për entitetet që operojnë në struktura akomoduese “hotel/resort me katër dhe pesë yje”.
Klosi, në vitin 2019 propozoi në cilësinë e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat korporative për këtë kategori që merrnin statusin special deri në fund të vitit 2024.
“Ato struktura që përfitojnë statusin “in special”, deri në dhjetor të 2026-ës, që janë edhe mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”, të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat korporative për një periudhë 10-vjeçare”, propozohet nga deputeti Klosi në p/ligj.
Shtyrja e afatit, theksoi ai gjatë prezantimit të p/ligjit në Komision, vjen për shkak të ngërçit që hasën kompanitë për të investuar për shkak të pandemisë, por edhe lufta në Ukrainë.
“Ky projektligj synon incentivimin e sektorit të turizmit duke ulur normën tatimore në 0% për 10 vitet e para fiskale, për strukturat akomoduese “hotel/resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimeve në legjislacionin e fushës së turizmit”, u shpreh Klosi.
Ai vuri në dukje se falë asaj politike fiskale të ndjekur, kemi sot 22 brande nga më të pëlqyerit në industrinë e turizmit të regjistruara në vendin tonë.
“Këto kanë sjellë investime në vlerën e 450 milionë eurove, ndër të cilat 100 milionë euro janë aktive tashmë. Kemi interes të shtuar sa i takon këtyre lloj investimeve”, deklaroi ai.
Nxitja e investimeve në sektorin e turizmit do të kontribuojë gjithashtu edhe në hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e numrit të turistëve dhe vizitorëve me potencial të madh të fuqisë blerëse që do të qëndrojnë në Shqipëri, rritjen e konsumit si një faktor të rëndësishëm në rritjen e GDP.
