Hasani në Kiev: Mbështetje sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani po zhvillon një vizitë në Kiev ku rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

“Sapo mbërrita në Kiev për një vizitë pune me kolegë nga Evropa Juglindore, në një qytet që është bërë një simbol i fuqishëm i qëndresës, guximit dhe shpirtit të pamposhtur të një kombi që lufton për lirinë e tij”, shkruan ministri në rrjetet sociale.

Hasani nënvizoi se gjatë vizitës në Kiev do të përcjellë admirimin e thellë për forcën dhe vendosmërinë e qeverisë dhe popullit ukrainas në përkushtimin e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

“Bashkësia ndërkombëtare duhet të vazhdojë të ofrojë mbështetje të fuqishme politike, diplomatike dhe humanitare për Ukrainën, dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar të japim kontributin tonë në këtë mision jetik”, theksoi ministri Hasani.