5 vjet nga humbja e aktorit të madh të skenës dhe ekranit, Xhevdet Ferri

5 vjet më parë u nda nga jeta aktori i mirënjohur i skenës dhe ekranit, Xhevdet Ferri. Lajmi për humbjen e tij ishte tronditje për rrethin e kineastëve dhe studentëve të arteve por edhe për gjithë publikun që mban ende në kujtesë karakteret e krijuara nga ai në kinema e teatër.

Xhevdet Ferri lindi në qytetin e Durrësit, më 26 nëntor të vitit 1960 dhe u nda nga jeta më 16 janar 2020, në moshën 59-vjeçare, nga një sëmundje e rëndë.

Xhoda, siç njihej nga kolegë e studentë, u diplomua në degën e artit dramatik të Akademisë së Arteve të Bukura në vitin 1982, ku menjëherë pas përfundimit të studimeve me rezultate të larta, mbeti pedagog i mjeshtrisë së aktorit. Pak vite më vonë ai shërbeu edhe si Dekan pranë Fakultetit të Artit Skenik.

5 vjet nga humbja e aktorit të madh të skenës dhe ekranit,

Gjatë karrierës së tij artistike interpretoi rreth 30 role në teatër dhe kinema, por ishte ekrani i kinemasë ai që do ta bënte edhe më të njohur për publikun. Në kinema ai u përkushtua dhe shkëlqeu me talentin e tij duke interpretuar edhe më shumë personazhe se në teatër.

Mes roleve te shumta që interpretoi në kinematografi mund të përmendim rolin e Trimit tek “Përrallë nga e kaluara”, më 1987; rolin e Sakos tek “Dasma e Sakos”, më 1998; Martinin tek “Treni niset në shtatë pa pesë”, 1988; shoferin e kamionit tek “Gjoleka- djali i Abazit”, 2006; Gjonin tek “Vitet e pritjes”, Gorin tek “Dhe vjen një ditë”; Agronin tek “Hije që mbeten pas”; Palin tek “Besa e Kuqe”; Petritin tek “Fushë e blertë, fushë e kuqe”; Astritin tek “Gjurmë në kaltërsi”; Benin tek “Era e ngrohtë e thellësive” e shumë të tjerë.

Interpretimi i tij i fundit ka qenë në filmin “Delegacioni”, në vitin 2018. Në pjesën më të madhe të filmave Xhevdet Ferri pati rolin e protagonistit, megjithëse në jetën reale ishte një figurë që karakterizohej nga modestia. Për rolin e tij në “Dhe vjen një ditë”, Xhevdet Ferri u nderua me medaljonin e Festivalit të Filmit 1986. Ai ra në sy për natyrshmërinë, qetësinë e thjeshtësinë shoqëruar nga karakteri i drejtpërdrejtë i të vepruarit.

5 vjet nga humbja e aktorit të madh të skenës dhe ekranit,

Xhoda ishte bashkëshort i aktores Rozeta Ferri me të cilën ka një vajzë, Borën.

Nga vitet 1995-1999 ishte drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, duke e marrë sërish këtë post në vitin 2006. Ndërsa në vitet 1999-2001 ishte drejtor i Teatrit Kombëtar. Ishte specializuar në fushën e “Menaxhimit të Institucioneve Artistike” në Amsterdam e Oxford. Në periudhën kohore 1996 – 1998 ishte deputet i PD-së në Kuvend. Në vitin 2004 është bashkëthemelues i Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë duke qenë edhe kryetari i parë i kësaj shoqate.