RUMANI – Mijëra protestues kundër anulimit të fitores së kandidatit pro-rus
ijëra mbështetës të kandidatit të krahut të djathtë, Călin Georgescu kanë dalë në rrugë në Rumani – për të protestuar kundër anulimit të zgjedhjeve presidenciale në vend.
Rumania përballet me trazira zgjedhore – pasi raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale u anulua mes raporteve për ndërhyrje ruse.
“Protestuesit, jashtë Gjykatës Kushtetuese në kryeqytetin, Bukuresht po kërkojnë gjithashtu dorëheqjen e presidentit aktual Klaus Iohannis”, njoftuan sot mediet rumune.
Kandidati pro-rus Georgescu fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në fund të nëntorit.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e shpalli rezultatin të pavlefshëm në fillim të dhjetorit, duke urdhëruar zgjedhje të reja për shkak të parregullsive në procesin zgjedhor.
Gjykata vendosi se votuesit ishin manipuluar nga trajtimi i paligjshëm preferencial i një kandidati në media sociale.
Zgjedhjet e reja janë planifikuar për 4 maj, me një balotazh të mundshëm të planifikuar për 18 maj.
Georgescu ka përdorur kryesisht platformën e medieve sociale TikTok për fushatë.
Qeveria e Rumanisë u ankua se Tiktok kishte dështuar të etiketonte Georgescu – si politikan dhe postet e tij si reklama zgjedhore. Prokuroria publike tani është duke kryer hetime.
Georgescu ka paraqitur një ankesë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg lidhur me anulimin e zgjedhjeve.
Përpjekjet për të ndërmarrë veprime në gjykatat rumune ishin të pasuksesshme, megjithëse një apel në Gjykatën e Lartë mbetet i mundur.

