Musk, “fushatë” në Gjermani! Bisedë në “X” në mbështetje të lideres të së djathtës ekstreme në zgjedhjet e 23 shkurtit
Elon Musk avancoi mbështetjen për partinë e djathtë ekstreme të Gjermanisë, duke organizuar një bisedë të drejtpërdrejtë me lideren e saj, Alice Uaidel. Gjatë diskutimit 74-minutësh, ata trajtuan tema si politika energjetike, burokracia gjermane, Adolf Hitleri, Marsi dhe kuptimi i jetës.
Elon Musk u bëri thirrje gjermanëve të votojnë për partinë e djathtë ekstreme Alternative për Gjermaninë (AfD) në zgjedhjet kombëtare që do të mbahen më 23 shkurt, gjatë një bisede të drejtpërdrejt në rrjetin social X, me kryetaren e kësaj force politike Alice Weidel.
Njeriu më i pasur në botë përdori platformën sociale dhe pasurinë për të ndihmuar kandidatin republikan Donald Trump të fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA më 5 nëntor.
Tani ai po shfaq mbështetje të hapur për partitë e djathta ekstreme dhe anti-establishment në Evropë përpara zgjedhjeve kombëtare në Gjermani.
Në një bisedë të ndërprerë herë pas here nga batutat, Musk dhe Weidel ndanë mendime se Gjermania është e penguar nga një politikë energjetike "e çmendur", burokracia e tepruar dhe imigrimi i pakontrolluar.
Diskutimi 74-minutësh preku politikën e energjisë, burokracinë gjermane, Adolf Hitlerin, Marsin dhe kuptimin e jetës.
“Njerëzit duhet të mbështesin vërtet AfD-në, përndryshe gjërat do të përkeqësohen shumë, shumë keq në Gjermani," tha Musk, duke vijuar se “Alice Weidel është një person shumë i arsyeshëm. Asgjë e tepruar nuk po propozohet”.
Weidel shprehu mirënjohje për mbështetjen e Musk, duke thënë se mundësia për të biseduar me të ishte hera e parë në 10 vjet që ajo kishte pasur një platformë për të shprehur mendimin e saj pa ndërprerje nga një botë mediatike që, sipas saj, ishte e njëanshme kundër saj.
“Njerëzit e duan censurën për gjërat me të cilat nuk bien dakord”, tha Musk pasi të dy krahasuan trajtimin që media dhe politikanët gjermanë i bënin AfD-së me trajtimin që diktatori nazist Adolf Hitler u bënte zërave pro-hebrejve në vitet 1930.
Musk përforcoi mbështetjen e tij për AfD-në, një parti anti-emigracion dhe anti-islamike që është etiketuar si ekstremiste e djathtë nga shërbimet e sigurisë gjermane, gjë që ka shkaktuar shqetësim në Berlin.
Alternativa për Gjermaninë e cila gjithashtu kundërshton ndihmën e armatimit të Berlinit për Ukrainën, është forcë e dytë në sondazhet për zgjedhjet e parakohshme, por, ajo nuk do të jetë në gjendje të marrë pushtetin pasi partitë e tjera kanë refuzuar bashkëpunim.
Musk, i cili e përshkruan veten si një libertarian, ka quajtur Presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier një "tiran" për kritikat ndaj AfD-së, ndërsa kishte kërkuar dorëheqjen e kancelarit Olaf Scholz pas sulmit terrorist në një treg krishtlindjesh në gjermani.
Liderët në të gjithë Evropën kanë shprehur alarm për aktivitetet politike të Musk në Europë duke e cilësuar ndërhyrje të jashtme


