Meloni pozicionohet si një “urëndërtuese” midis BE-së dhe SHBA-së

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni po synon një rol udhëheqës qendror në Evropë ndërsa presidenti i sapozgjedhur Donald Trump përgatitet për kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.

Meloni njoftoi sot se planifikon të marrë pjesë në ceremoninë e betimit te Trump.

Ajo konfirmoi se kishte marë një ftesë personale nga presidenti i ardhshëm i SHBA-së dhe tha se do të udhëtonte në Uashington për këtë rast, nëse programi i saj e lejonte.

“Do të isha e lumtur të isha atje”, tha ajo.

Meloni, liderja e partisë së ekstremit të djathtë “Fratelli d’italia”, konsiderohet liderja evropiane me kontaktet më të afërta me kampin e Trump.

Ajo vizitoi Trump në rezidencën e tij në Mar-a-Lago, Florida në fundjavë. Pas takimit, Trump e vlerësoi lideren italiane si një “grua fantastike”.

Meloni e ka përshkruar marrëdhënien e saj me Trump si “shumë solide”, duke sugjeruar se kjo Evropa – në tërësi – mund të përfitojë.

Në një konferencë për shtyp në fillim të vitit të ri në Romë, Meloni e bëri të qartë se ajo mund të parashikonte një rol si një “urëndërtuese” përtej Atlantikut, veçanërisht pasi kampi i krahut të djathtë fitoi terren në vende të tjera evropiane.

Ajo e ka mbrojtur gjithashtu Trump kundër kritikave nga vendet e tjera të BE-së për pretendimet e tij të fundit territoriale për Grënlandën dhe Kanalin e Panamasë, duke shfaqur një qëndrim – dukshëm të ndryshëm nga Berlini apo Parisi –  të cilët kanë shprehur shqetësime të konsiderueshme.

“Unë përjashtoj që SHBA-ja në vitet e ardhshme do të përpiqet të aneksojë me forcë territoret që i interesojnë”, tha Meloni sot në Romë.

Megjithatë, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se kufijtë ndërkombëtarë nuk duhej të ndryshoheshin me forcë. Tone të ashpra u shprehën edhe nga qeveria franceze.

Së bashku me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orbán, Meloni shihet si një nga kontaktet më të forta të kampit republikan në Uashington, brenda BE-së.

Megjithatë, brenda vendit, ka kritika nga opozita se ajo mund të jetë një “nxitëse e tifozëve” të Trump.

Meloni u mbrojt kundër akuzave të tilla duke thënë se ajo gjithashtu ka një marrëdhënie optimale me presidentin në largim të SHBA-së, Joe Biden.

Gjithashtu, Meloni shprehu besimin se SHBA-ja nuk do ta braktiste Ukrainën në luftën e saj mbrojtëse kundër Rusisë.

“Trump ka treguar se di të balancojë diplomacinë dhe parandalimin. Unë parashikoj se ai do të jetë në gjendje ta bëjë këtë sërish”, tha ajo.

Në Kiev, ka shqetësime të mëdha se Trump mund të braktisë mbështetjen për Ukrainën pas gati tre vjetësh lufte.

Meloni ka mbrojtur gjithashtu miliarderin e teknologjisë dhe aleatin e Trump, Elon Musk, me të cilin ka një marrëdhënie miqësore.

Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me mbështetjen e Musk për partitë evropiane të krahut të djathtë, duke përfshirë Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë – Meloni tha se Musk nuk ishte një kërcënim për demokracinë.

Qeveria italiane është aktualisht në bisedime me kompaninë e Musk “SpaceX” për një kontratë miliarda dollarëshe për shërbime të sigurta komunikimi.

Që nga tetori i vitit 2022, Meloni ka udhëhequr një koalicion në Romë që përbëhet nga tre parti të krahut të djathtë dhe konservator.

Gjatë mandatit të saj aktual, ajo po e drejton Italinë drejt një axhende të fokusuar në Evropë. Partia e saj, aktualisht kryeson në sondazhe me rreth 28%, përpara të gjitha partive të tjera.