U dërgua për trajtim më të specializuar në Athinë, Hierarkë të Sinodit të Shenjtë të Kishës së Greqisë vizitojnë Kryepeshkopin Anastas Janullatos

Hierarkë të Sinodit të Shenjtë të Kishës së Greqisë kanë vizituar ditën e sotme kryepeshkopin, Anastas Janullatos në spitalin ku është shtruar në Athinë. Pas problemeve shëndetësore, ata i kanë uruar kryepeshkopit Anastas shërim sa më të shpejtë.  

“Në emër të Sinodit të Kishës Orthodhokse të Greqisë, Hirësitë e tyre Mitropolitët e Nafpaktës dhe Shën Vlashit z. Jerothe dhe të Dhimitriadhës dhe Almirës z. Ignat vizituan sot Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas, të cilit i përcollën dashurinë e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Athinës, z. Jeronim dhe lutjet e uratat e Etërve të Sinodit të Shenjtë të Greqisë për rikthimin e shëndetit të tij.

Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas falenderoi përzemërsisht anëtarët e Sinodit të Shenjtë, duke përmendur më tej se u është sinqerisht mirënjohës të gjithë atyre që luten për shërimin e tij të shpejtë”, thuhet në postim.

Prej ditësh kryepiskopi Anastas Janullatos ndodhet në Athinë për mjekim më të specializuar pas problemeve shëndetësore. Kryepeshkopi Anastas u transportua nga Tirana në Athinë më 3 janar, me një avion të Forcave ushtarake greke. Fillimisht, ai ishte shtruar në një spital në Tiranë më 30 dhjetor për shkak të një gripi sezonal, por përkeqësimi i gjendjes së tij e bëri të nevojshme transferimin e tij në një spital në Athinë.