E rëndë në Maliq/ Shfaqi tension të lartë, 12-vjeçari ndërron jetë në spital

Një ngjarje e trishtë ka ndodhur në fshatin Pocest, Maliq, ku një 12-vjeçar ka ndërruar jetë në spitalin e Tiranës, pasi u dërgua me urgjencë nga spitali i Korçës. I mituri ishte nxënës në klasën e 7-të në shkollën e fshatit Vashtimi.

Sipas burimeve të policisë, djali kishte shfaqur tension të lartë dhe ishte dërguar fillimisht në spitalin e Korçës.

Pas kontrollit të mjekëve, ai u dërgua menjëherë në Tiranë për mjekim të specializuar, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte.

Shkolla e fshatit Vashtimi ka njoftuar edhe për ngjarjen tragjike.

Sipas informacioneve, 12-vjeçari ka qenë i shtruar dy herë në spital më parë për probleme shëndetësore që lidhen me zemrën dhe diabetin.

Për shkak të moshës së re dhe vdekjes së papritur, policia ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e vdekjes.

Familjarët kanë deklaruar se djali i tyre kishte pasur tension të lartë dhe probleme shëndetësore herë pas here.

Sipas të dhënave nga spitali rajonal i Korçës, 12-vjeçari ka shkuar në spital rreth 10 ditë më parë me simptoma gripi dhe ka dalë nga spitali më 31 dhjetor pasi gjendja e tij ishte përmirësuar.

Më vonë, ai u shoqërua përsëri nga familjarët për shkak të të vjellave dhe analizat kanë treguar glicemi të lartë.

Mëngjesin e djeshëm, ai është dërguar në Tiranë, ku ka pësuar një arrest kardiak.

Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë shkakun e vdekjes, ndërsa familjarët nuk kanë ngritur pretendime deri tani për rrethana të dyshimta lidhur me ngjarjen.