Meta: Simitis, reformator i Greqisë për integrimin evropian

 Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Greqisë, Kostas Simitis.

Meta shkroi në rrjete sociale, nga burgu 313 në Tiranë, se Simitis ka qenë kontributor në Greqi për rënien nga pushteti të juntës ushtarake dhe ka qenë gjithashtu reformator dhe përparimtar në rrugën e Greqisë drejt BE.

“Me trishtim mësova për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Greqisë, Kostas Simitis.

Kontributor për rrëzimin e juntës dhe luftëtar konseguent kundër diktaturave, Simitis ishte një personalitet i madh i politikës greke, jo vetëm si drejtues i PASOK-ut, por edhe si reformator i madh i përshpejtimit të integrimit europian të Greqisë.

Kam patur kënaqësinë të bashkëpunonim dhe i mbetem mirënjohës për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve tradicionale shqiptaro-greke, bazuar mbi fqinjësinë e mirë dhe partneritet.

Ngushëllime familjes Simitis dhe popullit grek për këtë humbje të madhe”, shkroi Meta.

Simitis shërbeu si kryeministër në shtetin helen nga radhët e PASOK në vitet 1996-2004.

Ish-kryeministri Kostas Simitis vdiq sot në mëngjes, në moshën 88-vjeçare.