Koçiu: Të dhënat në luftën kundër kancerit të gjirit të merren nga burime të besueshme

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale thekson se është e rëndësishme që në luftën kundër kancerit të gjirit të pajisemi me të gjitha të dhënat e sakta.

Sipas Koçiut në ditët e sotme, aksesi i lirë në informacion përbën një bekim po aq sa edhe një rrezik për t’u informuar me mite që paraqiten si “fakte” të pavërteta.

Koçiu nënvizon se të dhënat në luftën kundër kancerit të gjirit “të merren nga burime të besueshme, si mjeku yt apo institucionet përkatëse, që mund të të orientojnë në drejtimet e duhura”.

Po ashtu ministrja ka publikuar një video nëpërmjet të cilës tregon faktet dhe mitet në lidhje me kancerin e gjirit.

“Mit: Një gjëndër në gjoks është gjithmonë një masë kancerogjene; Fakt: Shpesh gjëndrat janë masa beninje ose kiste të padëmshme;

Mit: Vetëm gratë me histori familjare të kancerit të gjirit rrezikohen nga ky kancer; Fakt: Rreth 70 % e grave që diagnostikohen nuk kanë histori familjare;

Mit: Mamografia është një vizitë e dhimbshme dhe e rrezikshme; Fakt; Mamografia është një procedurë e shpejtë që shpëton jetë”, njofton ministrja.