Arratisja e dy shqiptarëve nga burgu i Kassavetias, media greke: Janë parë nga qytetarët, dyshohet se janë të armatosur
Autoritetet greke janë vënë në kërkim të shqiptarëve Lefter Toçi dhe Romeo Qosja pas arratisjes së tyre të bujshme nga burgjet rurale të Kassavetia mbrëmjen e së enjtes, 2 janar. Sipas informacioneve, policia greke po heton edhe në Atikën Perëndimore për shqiptarët të cilët konsiderohen të rrezikshëm. Media greke, "Protothema" raporton se disa qytetarë i kanë parë shiptarët e arratisur.
Operacioni për gjetjen e tyre po kryhet nga ekipe speciale të policisë greke. Gjithashtu dyshohet se dy të arratisurit janë të armatosur, ndërsa mendohet se janë bashkë. Lefter Toçi dhe Romeo Qosja janë dënuar me shumë vite burgim madje edhe të përjetshëm për një sërë grabitjesh, zjarrvënie dhe anëtarësim në një organizatë kriminale me qëllim kryerjen e vrasjeve.
Dy të burgosurit, të dy 41 vjeç, mbaheshin që nga viti 2019 në burg në një zonë të pa rrethuar, për shkak të sjelljes së mirë, ndërsa dhoma e tyre kontrollohej vetëm disa herë në ditë nga stafi. Të arratisurve iu dhanë pesë ditë pushim në vitin 2024 dhe me sa duket përfituan nga kthimi i tyre nga leja e fundit disa ditë më parë për të planifikuar dhe ekzekutuar arratisjen e tyre. Zhdukja e tyre, e cila u zbulua në orën 21:00 të së enjtes, shkaktoi mobilizimin e menjëhershëm të policisë pasi dy të arratisurit konsiderohen të rrezikshëm, për shkak të së shkuarës së tyre.
