KQZ: Afro 2 milionë e 76 mijë votues të regjistruar për zgjedhjet e 9 shkurtit
Numri i përgjithshëm i votuesve për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, është mbi 2 milionë e 75 mijë. Ndërkaq, numri i personave që janë regjistruar për votim jashtë Kosovës është afro 105 mijë votues. Kështu është bërë e ditur në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Anëtari i KQZ-së nga PDK, Arianit Elshani tha se lista përfundimtare e votuesve nuk është tërësisht e pastër për shkak se qytetarët nuk i kanë lajmëruar në organet kompetente personat që kanë vdekur.
Ai tregoi se mbi 84 mijë votues jashtë vendit kanë zgjedhur mënyrën e votimit përmes postës dhe mbi 20 mijë të tjerë përmes votimit fizik në përfaqësi diplomatike.
“Kemi evidentuar rastet të cilat kanë qenë të përfshirë në listën votuese, por që kanë një moshë shumë të shtyer, në raste 115 vjet e të tjerë apo 120 vjet, të cilat as Agjencioni Statistikave të Kosovës, por as Ministria e Financave nuk i ka në databazat e tyre, por ata figurojnë në listën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ky numër i votuesve që është prej 2 milionë e 75 mijë e 868 votuesve si listë përfundimtare. Nuk është një listë tërësisht e pastër, për faktin që figurojnë ende personat e vdekur në këto lista, për shkak se qytetarët nuk ia kanë njoftuar organet kompetente…Ndryshe nga çdo palë zgjedhje tjetër që është mbajtur më parë, në këto zgjedhje lista e votuesve është krijuar me dy data baza…Ndërsa, numri i personave që janë regjistruar për votim jashtë Kosovë është 104 mijë e 924 votues, prej të cilëve 84 mijë e 525 kanë zgjedhur mënyrën e votimit përmes postës dhe 20 mijë e 399 votues kanë zgjedhur mënyrën e votimit fizik në përfaqësi diplomatike. Në dallim prej zgjedhjeve të fundit lokale të 17 dhjetorit është 174 mijë e 888 votues më shumë”, tha Elshani.
Në këtë mbledhje u tha se për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në Kosovë janë gjithsej 903 qendra të votimit, 2533 vendvotime, 56 vendvotime me kusht dhe 38 qendra të votimit me kusht.
