I ÇON NË UKRAINË DHE I MERR NË BJELLORUSI/ Partizani zyrtarizon përforcimin e parë, pas 3 largimeve

Dmitriy Podstrelov është afrimi i parë te Partizani në këtë merkato dimri. Sulmuesi bjellorus ka firmosur për një vit e gjysmë me “demat e kuq”.

26-vjeçari luan në të dyja krahët e sulmit, por i preferuari është i djathti. Prej një viti, Podstrelov ishte pjesë e Dinamo Minsk, ndërsa më herët ka luajtur edhe me BATE Borisov e Soligorsk.

Sulmuesi numëron gjithashtu edhe 14 ndeshje me kombëtaren e Bjellorusisë, ku ka shënuar edhe një gol. Gjithashtu ai ka qenë pjesë edhe e ekipeve kombëtare të moshave.

“Partizani me kënaqësi zyrtarizon afrimin e Dmitri Padstrelau. Sulmuesi nga Bjellorusia bashkohet me të kuqtë, pas eksperiencës së fundit te Dinamo Minsk.

26 vjeçari në karrierën e tij ka qenë pjesë edhe e Dnjepër Mogilev, Shaktjor Soligorsk, Kaspi Aktau dhe Bate Borisov. Podstrelov ka firmosur me Partizanin një kontratë për një vit e gjysmë”, thuhet në njoftimin e Partizanit.

Kujtojme se dje të kuqtë njoftuan largimin e tre futbollistëve dhe më konkretisht të: Tedi Cara, Arinaldo Rrapaj dhe Andri Hadroj.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, klubi kryeqyetas thekson se “dëshiron të falënderojë Tedi Carën, Arinaldo Rrapajn dhe Andi Hadrojn për përkushtimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë me fanellën e kuqe”.

Të tre futbollistët janë transferuar në kampionatin ukrainas ku do të luajnë me skuadra të ndryshme.