VIDEO/ Denaj uron Vitin e Ri: Njerëzit e punës, krenaria e tokës sonë

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ka uruar Vitin e Ri 2025 me një kartolinë të veçantë nga fermerët dhe blegtorët.

Denaj ndau në rrjetet sociale një kolazh urimesh nga njerëzit e punës në sektorin e bujqësisë, të cilët, siç tha ajo, janë “krenaria e tokës sonë”.

Në video shfaqen traktorë duke punuar tokën, sera me prodhime bujqësore, vepra të reja të infrastrukturës ujitëse dhe kulluese, anije peshkimi, pika agroturistike dhe fusha të mbjella me perime, që ilustrojnë investimet në bujqësi nga rajone të ndryshme të vendit.

“Lëmë pas një vit me sfida dhe suksese, me urimin dhe shpresën për një Vit të Ri më të begatë dhe më të mbarë! Gëzuar Vitin e Ri 2025! Qoftë një vit i paqtë, me begati dhe lumturi për çdo familje shqiptare,” shkroi Denaj.

Bujqësia është një nga sektorët kryesorë të ekonomisë së vendit, dhe qeveria e ka vendosur atë në prioritet të politikave mbështetëse.

Buxheti për vitin 2025, me një vlerë prej 14.7 miliardë lekësh, është më i larti ndër vite dhe synon subvencionet e drejtpërdrejta për fermerët, si dhe zgjerimin e investimeve në sektorë prioritarë të bujqësisë.