A e cënon korrupsioni i individit Veliaj sigurinë Kombëtare të SHBA?
“Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në sistemin e drejtësisë . Këto mënyra të vjetra nuk janë të përshtatshme për një aleat të NATO-s dhe aspirantëve të BE-së dhe ato duhet të refuzohen me vendosmëri. SHBA e konsideron korrupsionin si një kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare. Ata që merren me dhënien ose pranimin e kërcënimeve dhe nxitjeve – për shembull, për të ndihmuar miqtë e fuqishëm – duhet të kuptojnë se veprimet e tyre do të kenë pasoja”
Kjo është një deklaratë e ish Ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, që mban datën 2 qershor 2023. Gjykata, sapo kishte marrë vendim për lirimin nga burgu të Sajmir Tahirit, ish ministrit të brendshëm, rreth 20 muaj para afatit. Njeriu i cili mbushi e mbolli Shqipërinë cep më cep me drogë, dhe ku trafikantët lëviznin duke përdorur emrin e tij, as dënimin që i dhanë për shpërdorim detyre nuk e kreu tamam.
Por shikojeni me vëmendje një paragraf në të cilin zonja Kim thotë se “SHBA e konsideron korrupsionin si një kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare”....
Zonja Kim, sot mban një post të lartë në administratën amerikane. Ajo është ë Zëvendës Ndihmës Sekretarja e parë e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë në zyrën e Zëvendëssekretarit James Obrien, pra presupozohet që disa gjëra ti dijë mirë. Këto lloj deklaratash ajo i ka bërë shpesh përgjatë qëndrimit të saj në Shqipëri!
Por jemi përpara një paradoksi, që na bën të dyshojmë mbi vërtetësinë e atyre që ka predikuar zonja Kim këtu. Kjo sepse në shtetin e New Yorkut SHBA, më datë 28 dhjetor ka mbërritur një individ, në kurriz të të cilit rëndojnë katër akuza ku përfshihet korrupsioni dhe pastrimi i parave. Ai quhet Erion Veliaj, i cili prej datës 26 dhjetor i i rëndojnë mbi kurriz katër akuza zyrtare që janë për dy forma korrupsioni, pasiv dhe aktiv dhe më e rënda akuza për pastrimin e produkteve të veprës penale. Në fund është dhe akuza për fshehje pasurie!
Ne nuk e dimë nëse Veliaj do ketë ndonjë takim me zonjën Yuri Kim, por në rast se kësaj të fundit nuk i kujtohet është pikërisht personi ku ajo me datë 4 maj të vitit 2021 ( nuk kishte mbaruar ende numërimi i votave të zgjedhjeve të 26 prillit) ka dalë në foto me të dhe Belinda Ballukun në bordin e një luftanije amerikane.
E çuditshme në fakt që vetëm pak ditë pas përfundimit të zgjedhjeve ku Veliaj kishte manipuluar vota sa ishte lodhur në Tiranë, zonja Kim në rolin e Ambasadores kryen një akt të tillë.
Natyrisht, përderisa Veliaj nuk është dënuar ende me një vendim të formës së prerë, dhe përderisa Dumani nuk i ka vënë nën sekuestron pasaportën e tij mund të lëvizë i lirë kudo. Por SHBA ka një specifikë tjetër. Fjala vjen, ish Kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, vetëm në bazë dyshimesh për korrupsion iu refuzua hyrja në SHBA dhe u shpall “Non Grata” ende pa lënë detyrën. Pavarësisht se dhe Dako u lebetit nëpër studio dhe rrjete sociale, duke treguar duart e tij të pastra ‘si akullore’ sërish nuk iu shmang dot sanksioneve. Kujtojmë se ndaj tij nuk ishte ngritur asnjë akuzë zyrtare, siç po ndodh me Veliajn sot dhe ishte kryetari i bashkisë së dytë më të madhe në vend. Në asnjë rast nuk dua të mbroj Vangjush Dakon, një mamuth korrupsioni që betonoi çdo gjë të bukur dhe historike që kish ai qytet, por të paktën të ish mbajtur i njëjti standard!
Ateherë përse për Veliajn po veprohet ndryshe?
A është ai një kërcënim për sigurinë kombëtare të Amerikës?
Këtë nuk kemi se si ta dimë, por ne flasim mbi ato çka kemi dëgjuar tërë këto vite, dhe çfarë ka shpallur zyrtarisht SPAK, kryetari i së cilës u zgjodh në kujdesin e veçantë të zonjës Kim. Sepse në rast se do të ishte për “dyshime” siç ka vepruar rëndom administrata Blinken, atëherë Veliaj duhet të kishte shumë më shumë se një sanksionim “non grata” i thjeshtë. Pas zbritjes në aeroport duhet ta kishin degdisur andej nga Guantanamo....
Dyshimet këtej nga krahina jonë për veprimtarinë e Veliajt janë me thasë.
Veliaj akuzohet si arkitekt i vjedhjes së 130 milionë eurove me skemën e inceneratorëve, akuzohet si ideator i ngritjes së skemës hajdute të “5D”, akuzohet për lidhje me organizatën mafioze “Ndragheta”, akuzohet se e ka kthyer kryeqytetin në lavatriçe të pastrimit të parave ku vetëm në vitin 2023 ka dhënë 1. 5 Milionë metra katrorë ndërtim , po në dhjetë vjet kryetar Bashkie?
Veliaj e ka kthyer Bashkinë e Tiranës në qendër të manipulimit të votave, me punësime dhe favore, sidomos me fondet e tërmetit. Dyshimet janë për vdekjen e Ardit Gjoklajt, për faturën e Bechettit, për shantazh ndaj gazetarëve. Kanë qenë të pakta ditët përgjatë kohës që ai ka mbajtur atë detyrë, që nga dyert e atij institucioni të mos ketë dalë një skandal.
E pra, Veliaj akuzohet se është një nga minuesit kryesor të demokracisë dhe sistemit që me aq vështirësi e kemi ngritur.
Një njeri që ka cenuar jetën e rreth 1 milionë njerëzve në vendin e tij, sot me SHBA-ve e kërkon që ta shpëlajë nga të pabërat e tij. Prania e tij atje, në mos cenon sigurinë kombëtare të atij vendi mik, cenon të paktën parimet për të cilat është ngritur dhe po lufton prej kaq shumë kohë ai vend i madh.
Ky është Veliaj, pa filtrat e Alex Soros apo zonjës Kim, por bio ashtu siç e njohin shqiptarët. Një pushtetar i korruptuar që për para dhe pushtet se ka për gjë të shesë dhe gjërat më të shenjta."



