Macron falënderon Gisele Pelicot për guximin dhe dinjitetin në gjyqin historik për përdhunim masiv

Presidenti francez, Emmanuel Macron vlerësoi luftën e Gisèle Pelicot, një ditë pas përfundimit të gjyqit historik për përdhunim masiv, në qytetin francez, Avignon – që e shpalli fajtor ish-bashkëshortin e saj dhe e dënoi atë me 20 vjet burg.

“Faleminderit Gisèle Pelicot. Në emër të drejtësisë, ju e përballët gjyqin me kokën lart”, tha Macron në platformën X.

“Për gratë, të cilat gjithmonë do të kenë një pionier për të folur dhe për të luftuar. Për të gjithë ne, sepse dinjiteti dhe guximi juaj ka frymëzuar Francën dhe botën”, tha presidenti francez.

Dominique Pelicot kishte droguar dhe abuzuar në mënyrë të përsëritur bashkëshorten e tij të atëhershme Gisèle – për gati 10 vjet, dhe kishte lejuar përdhunimin e saj nga dhjetëra të panjohur. Ai pranoi krimet në gjykatë.

Gjykata në Avignon dënoi të enjten Dominique Pelicot dhe 50 të pandehurit e tij. Të bashkëpandehurit morën dënime me burg që varionin nga tre deri në 15 vjet.

Hetuesit dyshojnë se ka edhe dhjetëra autorë të tjerë që nuk janë identifikuar ende. Pas dënimit të ish-bashkëshortit, Gisèle Pelicot tha se sprova e saj do të ndikonte në ndryshimin e shoqërisë.

Gisèle Pelicot beson se ka pësuar rreth 200 përdhunime. Gjyqi, i cili kishte vazhduar që nga shtatori, tmerroi Francën dhe botën dhe ringjalli diskutime mbi legjislacionin penal për dhunën seksuale