SHBA dhe Britania sanksionojnë zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të Gjeorgjisë

Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë vendosur sanksione ndaj ministrit të Brendshëm të Gjeorgjisë, Vakhtang Gomelauri, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në Ministri, si përgjigje ndaj rolit të tyre të dyshuar në shtypjen e dhunshme të gazetarëve, figurave opozitare dhe protestuesve antiqeveritarë.

Shtetet e Bashkuara vendosën gjithashtu sanksione ndaj Mirza Kezevadze, zëvendësshefit të departamentit të forcave speciale në Ministrinë e Brendshme të Gjeorgjisë, njoftoi Departamenti amerikan i Thesarit në një komunikatë më 19 dhjetor.

Departamenti i Thesarit deklaroi se këto veprime janë ndërmarrë në bashkëpunim me Britaninë, e cila më 19 dhjetor vendosi sanksione ndaj Gomelaurit dhe katër zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Brendshme për shkelje të dyshuara të të drejtave të njeriut.