Masat antikorrupsion, Pirdeni: Trajnim i punonjësve për prokurimet publike

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni bëri të ditur sot se punonjësit e administratës të angazhuar në procedurat e prokurimit publik do të trajnohen dhe certifikohen, masë kjo në kuadër të luftës antikorrupsion.

Në kuadër të Javës së Integritetit, Pirdeni ishte e pranishme në takimin me temë “Kundër korrupsionit në sektorin e prokurimit publik”.

Ministrja vuri në dukje se aktualisht ka nisur të kryhet një vlerësim i thelluar i riskut të korrupsionit për identifikimin e proceseve dhe procedurave më të ekspozuara ndaj korrupsionit, si dhe formave të shfaqjes së tij në sektorin e prokurimit publik.

“Në bashkëpunim me ASPA – Shkolla Shqiptare e Administratës Publike, do të trajnojmë dhe certifikojmë të gjithë punonjësit e angazhuar në procedurat e Prokurimit Publik”, bëri të ditur Pirdeni.

Ajo vlerësoi organizimin e këtij takimi si dhe partneritetin me Agjencinë e Prokurimit Publik, ASPA-n dhe Prezencën e OSBE-së në Tiranë.