Interpelanca e kërkuar nga Agron Shehaj, Balluku: Mori raport mjekësor dhe nuk erdhi në seancë
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë reagoi sot pas deklaratës në Kuvend të deputetit Agron Shehaj, i cili u shpreh se prej 6 muajsh shtyhet interpelanca e kërkuar prej tij me Ballukun.
Deputeti Agron Shehaj i është drejtuar sot në Kuvend kryeparlamentares Elisa Spiropali duke kërkuar se kur do të zhvillohet interpelanca e kërkuar nga ana e tij me Ballukun për një aferë, sipas tij, prej 1.3 miliard euro.
“Nuk denjoj zakonisht t’i përgjigjem atyre që luftën për pushtet e bëjnë me topa balte dhe jo me argumente të denja për votën që i ka sjellë këtu, por dy fjalë i kam për të vetmin vlonjat frikacak që kam njohur, i cili me britmat e tij (deri në kufijtë e ndotjes akustike) më kujton atë filmin Beni ecën vetë, kur fëmija kalonte pyllin natën dhe këndonte për të mundur frikën”, u shpreh Balluku, në një reagim në rrjetet sociale.
Balluku i kujtoi deputetit Shehaj se mori raport mjekësor ditën kur ishte interpelanca.
“Tani ti, Goni, që ke vendosur të ecësh vetë duke bërtitur si trim i trembur, more raport mjekësor kur unë erdha në sallën e parlamentit se më kishe kërkuar interpelancë.
Nuk e di nga çfarë ke frikë kaq shumë që bërtet dhe gënjen sikur këndon, po nëse kishe frikë nga ish-shokët e partisë që të futeshe në sallën e parlamentit dhe more raport mjekësor, bën mirë të kthehesh te shokët, se nuk ecet vetë duke bërtitur nga frika”, u shpreh Balluku.
Balluku iu përgjigj edhe akuzave të deputetit Shehaj, ndërsa u shpreh se përgjigjen për këto gënjeshtra do ta marrë nga shqiptarët në 11 maj 2025.
“Sa për ato akuzat dhe gënjeshtrat që artikulon me britmat e tua, janë vetëm prova që ti je njësoj si ish-shokët e partisë dhe përgjigjen do ta marrësh njësoj si ata më 11 maj, kur ndryshe nga disa prej tyre që do të vijnë këtu prapë të ndezin qirinj për partinë e ikur për skrap, ti do të ikësh bashkë me partinë, se shqiptarët dinë gjithmonë kë duhet të votojnë, shqiptarët dinë gjithmonë të vlerësojnë punën dhe jo britmat e ulërimat e baltës.
Pyet ish-shokët, se ata e dinë më mirë”, shtoi Balluku.
