Dëmtimi i Mbappesë, pjesëmarrja në Kupën Interkontinentale në dyshim

Pjesëmarrja e Kylian Mbappésë në Kupën Interkontinentale është në rrezik të madh. “Ylli” francez ka pësuar një dëmtim në kofshën e këmbës së majtë, sipas një njoftimi mjekësor të publikuar nga Real Madridi mesditën e sotme, ku nuk jepen detaje të tjera mbi gjendjen e dëmtimit të tij.

Klubi i "Los Blancos" parashikon një periudhë rikuperimi prej rreth dhjetë ditësh, duke e lënë pjesëmarrjen e Mbappésë në Kupën Interkontinentale në pikëpyetje.

Të mërkurën e ardhshme do të kenë kaluar tetë ditë nga dëmtimi i tij.

Klubi nuk përjashton mundësinë që Mbappé të udhëtojë për në Katar dhe madje të luajë disa minuta nëse është e nevojshme, por për momentin kjo mbetet një skenar i largët.

I largët, por i mundshëm. Nuk është e pamundur të imagjinohet Mbappé duke luajtur disa minuta në Interkontinentale, duke marrë parasysh rastet e ngjashme këtë sezon, ku disa lojtarë të Real Madridit kanë shkurtuar ndjeshëm periudhat e rikuperimit të dëmtimeve të tyre.

Për shembull, në shtator vetë Mbappé u rikthye për vetëm gjashtë ditë pas një dëmtimi në bicepsin femoral të këmbës së majtë që e pësoi në ndeshjen kundër Alavésit.

Asokohe parashikoheshin tri javë pushim, por Kylian u rikuperua për më pak se një javë.

Atëherë, Mbappé humbi vetëm derbin kundër Atlético Madridit dhe në ndeshjen pasardhëse të Champions League kundër Lille luajti 33 minuta, duke hyrë nga stoli.

Megjithatë, më pas kërkoi të mos grumbullohej me kombëtaren franceze gjatë pushimit të tetorit për të kompletuar rikuperimin e tij.

Përveç mungesës në derbin kundër Atléticos dhe faktit që filloi nga stoli ndaj Lille, të gjitha ndeshjet e tjera të Real Madridit (21) i ka luajtur si titullar.

“Ylli” francez u dëmtua të martën e kaluar në pjesën e parë të ndeshjes kundër Atalanta-s.

Pasi hapi rezultatin në minutën e 10-të, Mbappé u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 36-të për shkak të shqetësimeve në pjesën e pasme të kofshës së majtë.

Si përfundim, Ancelotti pritet të ketë pesë mungesa për ndeshjen e së shtunës në Vallecas: Mbappé, Mendy, Alaba, Militao dhe Carvajal, si dhe Camavinga në dyshim.

Mesfushori francez është stërvitur këtë javë individualisht në Valdebebas dhe mund të rikthehet për ndeshjen kundër Rayo Vallecano.