EMRAT+VIDEO/ Shihni si 28-vjeçari ia vë tritolin lokalit te “Uji i Ftohtë”, arrestohet autori me dy identitete
Policia e Vlorës bën me dije se ka finalizuar operacionin e koduar “DANGER”, në kuadër të së cilit është ndalohet autori i dyshuar shtetasi Beqir Selamaj alias Beqir Murati, për shkatërrimin me eksploziv të një lokali në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë.
NJOFTIMI I POLICISË VLORË
Finalizohet operacioni policor i koduar “DANGER”.
Ndalohet autori i dyshuar për shkatërrimin me eksploziv të një lokali në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, përmes një pune të thelluar hetimore dhe profesionale, finalizuan operacionin e koduar “DANGER”.
Bazuar në veprimet intensive hetimore dhe dokumentimin me prova ligjore, u bë i mundur ndalimi i shtetasit B. S. alias B. M, 28 vjeç, banues në lagjen “Isa Boletini” dhe me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe vjedhjes së pasurisë.
Nga hetimet rezulton se ky shtetas dyshohet të jetë autor i vendosjes së lëndës eksplozive më datë 08.12.2024, rreth orës 05:50, në një lokal, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në pronësi të shtetases R. B., 73 vjeçe, ku si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Gjatë operacionit, përmes veprimeve të koordinuara dhe mbështetura në prova shkencore, u sekuestruan në cilësinë e provave materiale dy telefona celular, një biçikletë dhe veshjet e përdorura gjatë ngjarjes.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale, iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.


