Ibrahimaj: Bashkë kundër korrupsionit që dëmton shtetbërjen dhe ekonominë tonë
Ministrja për Shtetin, Sipërmarrjen dhe klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj foli sot në tryezën publike me temë: “Parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit në sektorët me risk të lartë në qeverisjen qendrore dhe vendore”.
Ibrahimaj e vuri theksin te bashkërendimi i punës në shumë sektorë publik, por sidomos ato kyç për ekonominë e vendit që mund të luftojnë korrupsionin në çdo formë të tijën.
Ministrja tha se “korrupsioni është një dukuri që pavarësisht investimeve që janë bërë në dixhitalizim, apo në sektorë të caktuar në institucione ku janë ngritur mekanizma sinjalizues, sërish ka shfaqje të tij.”
“Vura re që gjatë analizës në të gjithë sektorët me risk të lartë, tatime, dogana, prokurime, konçesione, Partneritet Publik Privat janë katër elementët kyç që ritheksohen: transparenca, ndryshimet ligjore, profesionalizmi i Administratës Publike dhe digjitalizimi i procedurave. Besoj që ndër vite ne jemi munduar t’i dedikohemi dhe të përqendrohemi në të gjithë sektorët në përmirësimin e tyre, por ne jetojmë këtu dhe e dimë që ka ende sfida”, tha Ibarhimaj.
“Unë besoj fort që ky lloj dialogu që vë në tryezë ekspertë dhe përfaqësues të sektorit privat, por edhe institucionet publike, por edhe shoqatat e shoqërisë civile, ky është mekanizmi për të kuptuar se çfarë elementësh duhet të përfshihen në planet e veprimit. Ndaj dua të ftoj të gjithë përfaqësuesit që të shprehin mendimet e tyre lirshëm, pasi për ne është e rëndësishme që përveç dokumenteve strategjike që kemi punuar me Bashkimin Evropian në adresimin e këtyre katër elementëve, mbase ka eksperiencë praktike që na shërben për të pasur plane veprimi konkrete, pasi korrupsioni mbetet një dukuri që dëmton shtetbërjen dhe ekonominë tonë”, u shpreh në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj.
