U grabitën në Greqi, Europol kërkon 1 milion euro në Shqipëri dhe...

Policia greke, përmes Europol-it, kërkon të gjurmojë rreth 1 milion euro, pjesën e mbetur pa sekuestruar nga një grabitje e ndodhur më 26 shtator në zonën e Lavrios.

Më 26 shtator, katër grabitës që udhëtonin me një automjet të vjedhur grabitën një furgon që transportonte vlera monetare jashtë një dyqani të madh lodrash në Lavrio.

Tre prej grabitësve, të maskuar dhe të veshur totalisht me të bardha, fillimisht çanë gomat e furgonit të blinduar. Më pas, nën kërcënimin e armëve dhe të një eksplozivi, hodhën bojë në xhamin e parë të mjetit dhe kërcënuan punonjësit. Një prej personave që ndodhej brenda hapi portën, dhe grabitësit arritën të marrin 1 milion e 185 mijë e 226 euro.

Pas dy muajsh hetime, policia arriti të identifikojë dhe arrestojë autorët më 27 nëntor. Policia arrestoi gjashtë persona dhe sekuestroi rreth 211 mijë euro, si dhe armë e sende që u përdorën në grabitje. Grupi vepronte si organizatë kriminale. Policia deklaroi se të arrestuarit ishin shtetas grekë, por për shkak të mungesës së publikimit të identiteteve nuk dihet nëse kishin edhe kombësi tjetër.

Hetimet zbuluan se kreu i grupit kriminal, një 56-vjeçar, kishte precedentë të shumtë që nga viti 1993. Dy javë pas grabitjes, ai rezulton të ketë udhëtuar drejt Shqipërisë. Pas një muaji qëndrimi në Shqipëri, ai u kthye në Athinë. Dy javë më vonë, pasi qëndroi në kryeqytetin grek, bashkë me një të afërm udhëtoi sërish drejt Parisit, në Francë. Edhe i afërmi dyshohet se ka marrë pjesë në grabitje.

Duke qenë se nga shuma totale e grabitur mungojnë rreth 1 milion euro, policia greke ka kërkuar ndihmën e Europol-it për të hetuar lëvizjet e të dyshuarit në Shqipëri e Francë dhe për të zbuluar nëse shuma e parave është transferuar pikërisht në këto dy vende. Burime bëjnë me dije se shtetasi grek ka partneren e tij me banim në Shqipëri.

U grabitën në Greqi, Europol kërkon 1 milion euro në