Nxënësja e “28 Nëntorit” portretizon veprën e piktorit shkodran Simon Rrota

“Shtëpia e dëshmorit Ndoc Mazi”, një vepër e arsimtarit dhe piktorit Simon Rrota, pjesë e Koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve është jetësuar nga nxënësit e shkollës “28 Nëntori” në Shkodër, te shtëpia e heroit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau sot në rrjetet sociale këtë vepër të portretizuar nga nxënësja Xheneta Zefi, e fotografuar nga nxënësi Gjon Leqejza të gjimnazit “28 Nëntori”, Shkodër.

Në Vitin e Gjuhës Shqipe dhe në kuadër të 80-Vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, nxënësit e shkollave tona i japin jetë veprave ikonë të artit shqiptar, të cilat përfaqësojnë figura kulturore dhe personalitete të rëndësishme të historisë sonë, si dhe momente kyçe të së shkuarës, duke rikthyer në vëmendje ngjarjet dhe figurat që kanë ndikuar në historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar.

Për Vitin e Gjuhës Shqipe, Ministria e Arsimit dhe Sportit planifikoi një sërë aktivitetesh në rang kombëtar dhe mbarëkombëtar, ku u përfshinë të gjitha shkollat në vend, por edhe në diasporë.

Aktivitetet kulmuan më 22 Nëntor në Ditën Kombëtare të Alfabetit Shqip, ku u prezantua publikisht drafti i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe./ATSH/