Primet e shkruara bruto të sigurimit, 20.2 miliardë lekë gjatë 10-mujorit
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar – tetor 2024 kapën vlerën 20,2 miliardë lekë, ose 7,56% më shumë se në janar – tetor 2023.
Sipas raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë muajve janar – tetor 2024, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1 316 983, me një rritje prej 8,66% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e jo jetës, të cilat sollën 91,89% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e jetës kanë 8,07% dhe risigurimi me 0,035%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39,25% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60,75% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar – tetor 2024, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 7 miliardë lekë, ose 22,75% më shumë se në periudhën janar – tetor 2023.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar – tetor 2024 kapën vlerën 5188 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 30,69% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

