Zvarritja e open banking, pritet më në fund licencimi i operatorëve të parë

Open banking (banking i hapur) ishte një nga risitë më të rëndësishme të ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave”, të miratuar që në vitin 2020.

Open banking duhet t’i mundësojë çdo individi apo subjekti me një llogari pagese ta përdorë atë për të kryer shërbime pagesash të ofruara nga institucione të tjera financiare.

Bankat do të jenë të detyruara të japin akses me aprovimin e titullarit të llogarisë dhe vetëm për qëllime të transaksioneve të pagesave. Ky koncept është i lidhur kryesisht me dy shërbime të reja, atë të inicimit të shërbimit të pagesës dhe të informimit mbi llogaritë.

Ligji “Për shërbimet e pagesave” ka hyrë në fuqi qysh në janar 2021, mbështetur mbi parimet kryesore të Direktivës së Dytë të Bashkimit Europian për pagesat (PSD 2) dhe synon të sjellë më shumë konkurrencë në këtë treg, duke krijuar më shumë hapësira për institucionet financiare të pagesave.

Shërbimet e mbështetura në open banking duhet të testoheshin duke filluar që në 1 janar 2024, si pjesë e rregullores ”Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit”. Ndërsa që nga mesi i këtij viti, shërbimet e open banking duhet të ishin aktive. Në fakt, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Pas presioneve të mëdha nga Kryeministri dhe Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen, u arrit që në mesin e këtij viti bankat të ishin gati për testimet e shërbimeve të open banking me institucionet financiare jobanka, kryesisht ato të parasë elektronike (e-money). Por, përtej testimeve, ende sot shërbimet e open banking nuk janë ende aktive dhe nuk ofrohen nga asnjë institucion financiar.

Sipas operatorëve nga tregu, arsyeja është vonesa e licencimit të subjekteve të e-money nga Banka e Shqipërisë për ofrimin e shërbimeve të lidhur me open banking.

Banka e Shqipërisë ka pranuar se ky proces ka patur vonesa, për shkak të vakumeve të lidhura me rregulloret e brendshme të subjekteve dhe kontratat tip që duhet të lidhen mes tyre për këto shërbime. Megjithatë, burimet shprehen se këto probleme janë zgjidhur dhe brenda disa ditëve do të licencohen dy operatorët e parë për shërbimet e bazuara mbi open banking, Union Financiar Tiranë dhe Easypay.

Me tej, do të nevojitet vetëm certifikimi përfundimtar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për daljen live në shërbimet e reja. Për këtë hap të fundit nuk pritet të ketë pengesa, duke qenë se, në thelb, certifikata është e njëjtë me atë që është dhënë më parë për testimet.

Ndërkohë, sipas Bankës së Shqipërisë, të paktën shtatë prej bankave tregtare janë gati të ofrojnë akses për open banking. Për bankat e tjera ka një ngërç të natyrës teknike, që lidhet kryesisht me certifikimin e pranuar për sigurinë e informacionit.

Ose këto banka duhet të bëjnë modifikime dhe të pranojnë certifikatën e sigurisë që lëshon AKSHI (Certifikata e kualifikuar për vulat elektronike, QSeal), ose fintech që do të duan të lidhen me këto banka duhet të marrin një certifikim tjetër (Certifikata e kualifikuar për autentifikimin e website, QWAC), nga një ofrues shërbimi prej vendeve të BE-së./Monitor