Valë e re zhvendosjesh në Gaza/ Njoftimi: Për sigurinë tuaj, largohuni menjëherë në jug
Ushtria izraelite ka urdhëruar evakuimin e banorëve në periferi të qytetit të Gazës, duke shkaktuar një vale të re zhvendosjeje të dielën, njoftuan autoritetet palestineze. Zyrtarë shtuan se drejtori i spitalit të Gazës u plagos në një sulm izraelit me dron.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ndau në rrjetin X urdhrin për evakuim, ndërsa fajësoi militantët palestinezë për këtë vendim, që sipas ushtrisë kanë kryer sulme me raketa nga zona në fjalë, në veri të Rripit të Gazës.
Në pamjet e transmetuara në mediat palestineze, të cilat agjencia Reuters nuk mund t’i konfirmojë në mënyrë të pavaruar, dukeshin banorët që largoheshin nga zona Shejaia, mes tyre edhe fëmijë, duke ecur në këmbë, me çanta në shpinë.
Familjet që jetojnë në këto zona filluan të largoheshin nga shtëpitë e tyre pasi ra nata të shtunën dhe në orët e para të së dielës, thanë banorët dhe mediat palestineze. Kjo është vala e fundit të zhvendosjes, mes shumë të tillash që kur nisi lufta 13 muaj më parë.
Zyrtarët e shëndetësisë thanë se të paktën 10 palestinezë u vranë nga sulmet izraelite në dy kampet Al-Maghazi dhe Al-Bureij gjatë sulmeve të së shtunës.
Ndërkohë në frontin libanez vijojnë luftimet e ashpra. Grupi militant Hezbollah njoftoi se kreu një sulm me dronë dhe raketa në bazat ushtarake në Tel Aviv dhe në jug të Izraelit.
Në një deklaratë të veçantë, u shtua se dronët me eksploziv u lëshuan në bazën detare në Ashdod në jug të Izraelit.
Gjatë 24 orëve të fundit, një sulm i fuqishëm ajror izraelit vrau 15 persona në Bejrutin qendror dhe 13 të tjerë u vranë në sulmet në verilindje të kryeqytetit libanez, tha ministria e shëndetësisë, ndërsa Izraeli po shtyn ofensivën e tij kundër grupit Hezbollah të mbështetur nga Irani.
Izraeli akuzon Hezbollahun për futjen e infrastrukturës së tij në zonat civile dhe përdorimin e popullsisë si mburoja njerëzore, akuza që grupi i mohon.
