Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Uruguai, votuesit drejt qendrave të votimit

Qytetarët e Uruguait iu drejtohen sot kutive të votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në vendin e tyre, në të cilin kandidati i qendrës së majtë Zamandu Orsi shkon ballë për ballë me kandidatin Alvaro Delgado të partisë në pushtet.

Edhe pse Orsi ka një epërsi të lehtë në sondazhet e fundit, shumica e shohin këtë garë si një barazim, pasi rol vendimtar në daljen e fituesit pritet të luajë se cili prej të dyve tërheq më shumë votues sesa kandidatët që u eliminuan në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Rreth 2.7 milionë votues janë thirrur në qendrat e votimit në këtë vend të vogël të Amerikës Latine, ku votimi është i detyrueshëm. Presidenti popullor në largim i vendit, Louis Lacaille-Pou, nuk mund të kandidonte, pasi nuk lejohej nga Kushtetuta.

Megjithëse Amerika Latine karakterizohet nga polarizim i fortë, dhuna politike dhe tendenca autoritare, Uruguai konsiderohet një vend demokratik model.

Në Uruguai nuk priten ndryshime rrënjësore

Nëse fiton, Orsi i qendrës së majtë synon të luftojë varfërinë dhe të marrë masa vendimtare kundër korrupsionit. Kundërshtari i tij konservator, Delgado, ka njoftuar se ai planifikon të vazhdojë politikat aktuale të qeverisë dhe të shkurtojë burokracinë.

Sipas sondazheve, çështjet kryesore që shqetësojnë qytetarët e Uruguait janë siguria, situata ekonomike dhe punësimi.

Që nga kthimi në demokraci 40 vjet më parë, qeveritë e qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë janë alternuar në pushtet në vend. Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të sotme, nuk priten ndryshime rrënjësore.