I dërguari i SHBA-së mbërrin në Bejrut për marrëveshjen e armëpushimit Izrael-Hezbollah
Ndërmjetësi amerikan në Lindjen e Mesme, Amos Hochstein mbërriti sot në Bejrut – në një përpjekje për të finalizuar një marrëveshje armëpushimi – që do t’i jepte fund luftës së vazhdueshme midis Izraelit dhe Hezbollahut, sipas një burimi qeveritar.
I dërguari i SHBA-së mbërriti në rezidencën e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Nabih Berri, i cili përfaqëson Hezbollahun në negociata, duke përshëndetur gazetarët me një buzëqeshje, ndërsa zhurma e avionëve luftarakë izraelitë të dëgjohej nga lart.
Për javë të tëra, detajet e një propozimi të supozuar të armëpushimit të SHBA-së kanë qarkulluar në media.
Sipas burimeve libaneze të sigurisë, Izraeli dhe Hezbollahu fillimisht do të pezullojnë armiqësitë e tyre për 60 ditë.
Gjatë kësaj periudhe, ushtria izraelite do të tërhiqet nga Libani dhe forcat e armatosura libaneze do të vendosen përgjatë kufirit.
Pas 60 ditësh, Izraeli dhe Libani pritet të zhvillojnë negociata për zbatimin e plotë të Rezolutës 1701 të OKB-së.
Hezbollahu thuhet se e konsideron propozimin e SHBA-së – si bazë për negociata të mëtejshme.
Që nga shtatori, ushtria izraelite ka zgjeruar masivisht sulmet e saj në Liban – duke synuar të largojë Hezbollahun nga kufiri i saj verior – në mënyrë që banorët të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.
Avionët luftarakë kanë bombarduar objektiva në të gjithë vendin dhe shpesh në jug të Bejrutit.
Kryeministri i përkohshëm libanez Najib Mikati tha dje se vendi i tij e sheh me pozitivitet propozimin e SHBA-së për armëpushim, megjithëse disa pika kërkojnë sqarime dhe analiza të mëtejshme.
Izraeli filloi fushatën e tij ushtarake në Gazë për të eliminuar Hamasin – pas sulmeve të paprecedentë të 7 tetorit nga militantët në Izraelin jugor.
Rreth 60 000 njerëz në Izraelin verior janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të bombardimeve. Që nga fillimi i luftës, atje janë vrarë 77 persona dhe janë plagosur mbi 640.
Në Liban, më shumë se 3 000 njerëz kanë vdekur si rezultat i sulmeve ajrore dhe bombardimeve izraelite.

