VanHorn pas vizitës në Gjirokastër: Drejtësi të barabartë për të gjithë!

E Ngarkuara me Punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy VanHorn, vizitoi Gjirokastrën në aventurën e saj të parë Përtej Tiranës, ku ajo u mahnit nga peizazhet befasuese dhe kultura e pasur e qytetit të gurtë.

Ajo u takua me partnerë vendorë të përkushtuar ndaj të drejtave të njeriut, drejtësisë dhe ekonomisë së qëndrueshme.

Ky është vetëm fillimi i rrugëtimit të saj për të zbuluar historinë, kulturën dhe njerëzit në Shqipëri.

Në një mesazh në gjuhën shqip në rrjetet sociale, ajo shprehet se, SHBA është e përkushtuar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

“Ambasada e SHBA është krenare që ka ndihmuar në restaurimin e Kalasë së Argjirosë dhe manastireve të Luginës së Drinos përmes Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore”, theksoi VanHorn.

Ajo gjithashtu u takua me kreun e Prokurorisë së Gjirokastrës, Petrit Cano dhe kolegët e tij prokurorë.

VanHorn dhe përfaqësues të ambasadës së SHBA u takuan gjithashtu me disa organizata në Gjirokastër, përfshirë Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Caritas Albania dhe përfaqësuesin e Avokatit të Popullit, të cilët punojnë së bashku për të ofruar shërbime për imigrantët që kalojnë në Shqipërinë jugore, si dhe në mbështetje të autoriteteve në procesin e shqyrtimit paraprak.

“U takova me partnerët tanë që punojnë fort për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe një drejtësi të barabartë për të gjithë”, tha ajo.

Gjatë qëndrimit në Gjirokastër VanHorn vizitoi gjithashtu dy biznese të spikatura lokale që janë shembull i risive dhe janë zhvilluar me mbështetjen e SHBA.

“Pashë sesi ushqimi dhe bujqësia po nxisin ekonominë e Shqipërisë si përmes eksporteve, ashtu edhe përmes sipërmarrjeve në agroturizëm si “Bota Farms”, të cilat tërheqin turistët të provojnë kuzhinën shqiptare”, tha ajo.

“Mezi pres të shoh se çfarë tjetër ka për të ofruar Shqipëria. Cila duhet të jetë ndalesa e radhës?”, pyet ajo.