Ministri i Shëndetësisë në Kroaci arrestohet me dyshimin për korrupsion
Pas një operacioni të rrufeshëm, policia kroate arrestoi sot në mëngjes ministrin e Shëndetësisë, Vili Berosh, disa drejtues të lartë të shëndetësisë dhe mjekësisë si dhe drejtues të kompanive private, të gjithë nën hetim për korrupsion, njftoi sot media kroate.
Berosh, ministër i Shëndetësisë në tri qeveritë e kryeministrit konservator, Andrej Plenkoviç që nga viti 2020, kur ai menaxhoi sistemin kombëtar shëndetësor gjatë pandemisë së koronavirusit, u arrestua në shtëpinë e tij dhe më pas u kontrollua me urdhër të Zyrës për Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Të paktën dy mjekë të tjerë që mbanin poste të larta në sistemin shëndetësor kombëtar dhe pesë persona të tjerë u arrestuan gjithashtu.
Kryeministri Plenkoviç shkarkoi menjëherë ministrin Berosh, duke emëruar nënsekretarin aktual në krye të departamentit, në pritje të një emërimi të ri politik.
Arrestimi dhe shkarkimi i ministrit tronditi skenën politike kroate, pasi ai ishte një nga bashkëpunëtorët më të fuqishëm dhe më të ngushtë të kryeministrit.
Sipas informacioneve fillestare, Berosh po hetohet për rastet e korrupsionit për blerjen e pajisjeve të sofistikuara mjekësore përmes tenderëve publikë, përfshirë mikroskopët robotikë, për të cilët janë dhënë çmime shumë më të larta se sa vlera e tyre reale
