Starmer-Macron takim mes pasigurisë mbi të ardhmen e mbështetjes për Kievin

Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron diskutuan sot vendosjen e Ukrainës në pozitën më të fortë të mundshme – mes pasigurisë mbi të ardhmen e mbështetjes së SHBA-se për Kievin.

Disa ditë pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale, të dy udhëheqësit zhvilluan bisedime në Paris në Ditën e Përkujtimit të Luftës së Parë Botërore – dhe shqyrtuan mënyrat më të mira për të vazhduar mbështetjen për vendin e shkatërruar nga lufta.

Takimi vjen mes sugjerimeve se Britania e Madhe dhe Franca mund të kërkojnë të bindin presidentin aktual të SHBA-së, Joe Biden që t’i japë Ukrainës lejen për të përdorur raketat “Storm Shadow” – për të goditur Rusinë përpara se ai të largohet nga Shtëpia e Bardhë.

Starmer u takua sot me Macron përpara përkujtimeve në Paris që shënojnë fundin e Luftës së Parë Botërore, duke u bërë kryeministri i parë britanik që merr pjesë në ngjarje që nga koha e Winston Churchill në 1944.

“Udhëheqësit diskutuan situatën në Ukrainë, duke përfshirë mënyrat për ta vendosur Ukrainën në pozitën më të fortë të mundshme në prag të dimrit”, tha një zëdhënës i qeverisë britanike.

“Duke iu kthyer Lindjes së Mesme, të dy liderët theksuan shqetësimin e tyre të madh për situatën në Gazë dhe Liban”, shtoi ai.

“Ata gjithashtu përsëritën nevojën për stabilitet në Bregun Perëndimor”, tha zëdhënësi.

Duke reflektuar mbi situatën në Kanalin e La Manshit, kryeministri britanik njofoti misionin e tij për të penguar bandat e kontrabandës në të gjithë Evropën – dhe të dy liderët ranë dakord për rëndësinë e frenimit të migracionit të paligjshëm – në çdo fazë të udhëtimit të një emigranti.