Berisha: Rama ka përjashtuar 40 përqind të popullatës shqiptare që jeton në fshat nga përfitimet buxhetore
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi këtë të hënë se qeveria “Rama” ka përjashtuar 40 përqind të popullatës shqiptare që jeton në fshat nga përfitimet buxhetore të parashikuara në draftin e saj për vitin e ardhshëm.
FJALA E BERISHËS
Një përshëndetje të veçantë gazetarëve të pranishëm dhe përshëndetje të përzemërt qytetarëve që ndjekin këtë konferencë shtypi.
Përsëri jemi në periudhën e diskutimit të buxhetit dhe për PD, shtyllë themelore e programit të saj do jetë ekonomia.
Në këtë kuadër, ne kemi denoncuar këtë buxhet si buxhetin e vjedhjes më të madhe në histori.
Si buxhet që rritjen ekonomike e bazon në drogë, në kullat e korrupsionit dhe drogës, kurse të ardhurat i shndërron në parajsë për shqiptarët.
Sot unë jam për të denoncuar përjashtimin pothuajse të plotë, pothuaj në shkallë ekstreme të 40 përqind të popullatës shqiptare që jeton në fshat nga përfitimet buxhetore që janë kushtetuese dhe ligjore.
Përjashtimin e një sektori që kontribuon në prodhimin e brendshëm me rreth 20 përqind të tij.
Për bujqësinë, me të cilën mbahen pra 40 përqind e popullatës, e cila kontribuon në rreth 20 përqind të prodhimit të brendshëm, buxheti i këtij viti parashikon në mënyrën më absurde gjithsej 40 milionë euro.
Gjithsej më pak se një të dyqindtën e buxhetit prej 8.8 miliardë euro.
Gjithsej më pak se një të gjashtëqindtën e prodhimit të brendshëm të vendit.
Nuk ka një vend të dytë në botë të shumëzojë me zero në këtë mënyrë sektorin që kontribuon me 20 përqind të prodhimit të brendshëm dhe që mban 40 përqind të popullatës, ta përjashtojë në këtë mënyrë shkatërrimtare.
Në këtë mënyrë të qëllimshme, që të nxisë me të gjitha mënyrat rrënimin e prodhimit bujqësor, blegtoral, rritjen e çmimeve në treg të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, largimin masiv të familjeve nga fshati për në vende të tjera.
Falimentimin e fermave të tyre.
40 milionë euro të caktuara janë 4 gjer në 8 herë më pak se sa subvencionet që quhet në vendet e rajonit.
Kjo i bën tërësisht jokompetitivë në çmime, krahasuar me fermerët e rajonit, nuk po flas për të Greqisë që marrin subvencion edhe 20 herë më shumë se fermerët në Shqipëri.
Unë jam këtu për të garantuar fermerët shqiptarë se nuk do ketë buxhet kurrë që t’u alokojë atyre një të dyqindtën e tij, por dhjetëra, dhjetëra herë më shumë.
3.5 përqind e buxhetit të shtetit do parashikohen subvencione për bujqësinë.
Mbështetje të drejtpërdrejtë për të gjitha sipërmarrjet që operojnë në bujqësi, blegtori, peshkim, akuakulturë, agroindustri mbi bazën e sipërfaqes së mbjellë, prodhimit të dorëzuar dhe numrit të krerëve.
Çdo fermer që aplikon për mbështetje në fushat prioritare do përfitojë mbështetje pa kufizim.
Do subvencionohen me 80 përqind normat e interesit të kredive bankare për bujqësi dhe blegtori.
Do subvencionohen në masën 75 përqind norma e të gjithë siguracioneve në fshatin shqiptar dhe bujqësinë shqiptare.
Do investohet çdo vit jo më pak se 70 milionë euro në sistemin e vaditjes dhe kullimit në mënyrë që të dyfishohet aftësia kulluese e vendit.
Do hiqet që javën e parë taksa armiqësore ndaj fermerëve, TVSH-ja armiqësore 0 në blerje dhe 20 përqind në shitje. Do jetë e barabartë në blerje dhe shitje.
Krijimi i agjencisë për fermerët për orientimin e tregut është një zotim jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin e këtij sektori.
Mbështetja për teknologjitë e reja mbetet një prioritet i madh për PD, veçanërisht dixhitalizimi do jetë synim që të lehtësojë sa më shumë punën e fermerëve dhe të rrisin rendimentet.
Rritja e sigurisë ushqimore, mbrojtja e qytetarëve shqiptarë nga mbeturinat që mbeten në prag skadimi në magazinat e botës, do jetë qëllim kryesor i yni.
Ne kemi qenë dhe mbetemi të bindur se pa zhvillim rural nuk ka Shqipëri të zhvilluar.
Do bëjmë gjithçka me moton që fshatrat që kenë infrastrukturën e qyteteve, dhe për këtë zotohemi që në katërvjeçarin e parë.
Këto janë disa nga pikat kryesore të programit tonë për fermerët dhe bujqësinë.
Edhe njëherë shpall, shtylla numër një e programit të PD do jetë ekonomia e qytetarëve.
Ekonomia e qytetarëve.
Ekonomia e qytetarëve.
Begatimi i tyre, përmirësimi i tyre ekonomik.



