Meloni: Interes i jashtëzakonshëm në BE për çështjen e emigracionit mes Italisë dhe Shqipërisë

Protokolli i bashkëpunimit për çështjen e emigracionit mes Italisë dhe Shqipërisë ishte në qendër të diskutimeve në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Budapest, tha sot kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

“Vazhdon të ketë një interes të jashtëzakonshëm, një vëmendje që unë e konsideroj absolutisht pozitive”, tha Meloni për gazetarët në Budapest.

“Gjithashtu, pati një kureshtje për sa u përket shteteve të sigurta. Ajo që ndodh në Itali me emigracionin e paligjshëm prek edhe shtetet e tjera. Kishte shqetësim për faktin sesi mundet që qeveritë nuk lejohen të vendosin vetë se cili shtet është i sigurtë, duke e rrezikuar realisht këtë koncept”, theksoi kryeministrja italiane.

“Kjo kompromenton çdo përpjekje për të luftuar emigracionin e paligjshëm. Për këtë pata solidaritetin e tyre”, shtoi Meloni.

Liderët evropianë i kanë shprehur solidaritetin kryeministres italiane Giorgia Meloni gjatë takimit joformal të BE-së në Budapest – ku sipas saj pjesë e diskutimeve ishin edhe kampet e refugjatëve të ngritura në Shqipëri.

Kryeministrja italiane tha se dërgimi i azilkërkuesve afrikanë drejt Shqipërisë do të vijojë, ndërsa shtoi se edhe Brukseli ka shprehur habi ndaj qëndrimit të gjyqësorit për të kundërshtuar listën e shteteve të sigurta.