Nis hetimi për abuzimet me fruta-perimet, Konkurrenca: Nga fermeri tek konsumatori çmimet kanë diferenca të mëdha
Pas një sërë denoncimesh publike për abuzime me çmimet nga pikat e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në vend, një gjë e tillë është evidentuar edhe nga autoritetet shtetërore.
Pas monitorimit të çmimeve duke filluar nga janari 2023 e deri në fund të muajit shtator të këtij viti, Autoriteti i Konkurrencës, ka arritur në konkluzionin se një shqetësim i tillë është real.
Sipas njoftimit zyrtar Komisioni i Konkurrencës pas monitorimit të bërë në Tiranë, Elbasan, Fier, Korçë dhe Berat evidentohet se çmimet nga fermeri deri tek konsumatori fundor kanë diferenca të mëdha.
Pas analizimit të strukturës së tregut, integrimit vertikal, sjelljes së ndërmarrjeve grumbulluese dhe diferencave të mëdha në zinxhirin e vlerës së produktit nga prodhuesit, grumbulluesit, shitësit me shumicë deri tek konsumatori fundor, vlerësohet se ky treg mund të ketë sjellje anti-konkurruese.
Kjo si pasojë e marrëveshjeve ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve që operojnë në tregun e grumbullimit dhe shitjes më shumicë të fruta-perimeve
Nisur nga gjetjet e bëra nga monitorimi i tregjeve dhe pikave të grumbullimit në 5 qarqet e vendit, Autoriteti i Konkurrencës deklaron se do të nisë një hetim të thelluar.
Hetim, i cili do të shërbejë për të vlerësuar nëse kemi të bëjmë ose jo me marrëveshje të fshehta që çojnë në kushte jo të barabarta tregu duke rritur çmimin final, pasojat e së cilës I vuajnë konsumatori final, por edhe fermeri.


